Sektori i TI (Teknologjisë Informative) në Kosovë është zgjeruar 2-3 vitet e fundit dhe pjesë e tij janë kryesisht moshat e reja. Kërkesën e madhe që e kanë vendet e zhvilluara për shërbime në këtë fushë e kanë plotësuar me sukses vendet e rajonit. Edhe Kosova mund ta bëjë të njëjtën gjë, thonë ekspertët.
Ne lidhje me këtë, Kujtim Dobruna nga ECIKS u shpreh që, “potencialet në Teknologjinë Informative janë të shumta, në radhë të parë për shkak të popullatës shumë të re, për këtë qëllim ne i kemi propozuar qeverisë së Kosovës ta shpallë këtë sektor si të rëndësisë së veçantë”. Më saktësisht, Dobruna potencoi që qendrat e thirrjeve (call centers) dhe zhvillimi i softuerëve do të ishin degë të leverdishme për t’u investuar në sektorin e TI. Nga 18 projektet e zhvilluara nga ECIKS tri i përkasin fushës së TI. Njëherësh këto projekte kane krijuar më se shumti vende të punës, që tregon se me investime të mirëfillta në këtë lëmë mund të luftohet me sukses papunësia e të rinjve dhe të zhvillohet teknologjik në përgjithësi.
“Cacttus” është një kompani e cila i ofron trajnime individëve në sektor të TI. E hapur në vitin 2003, sot në “Cacttus” trajnimin e ndjekin rreth 1200 persona të moshave të reja prej 18 deri 25 vjeç. “Probit” është një kompani tjetër që specializohet në zhvillimin e ueb-faqeve dhe programeve kompjuterike dhe është pjesë e tregut në zgjerim qe dy vite.
Eksperti i TI, Besmir Abdixhiku, u shpreh që në tregjet botërore ka mungesë të konsiderueshme të inxhinierëve në këtë fushë. “Trendet botërore na kanë bërë të ditur që një gamë e gjerë e kompanive botërore bëjnë një numër të madh të shërbimeve të tyre në formë të “outsourcing” apo burimeve të jashtme, që kryhen nga vendet me fuqi punëtore më të lirë por me zhvillim të konsiderueshëm profesional ku vendet rajonale kanë shfrytëzuar këtë mundësi mjaft mirë dhe eksporti i dijes në TI ka shënuar ngritje të vazhdueshme”, ka thënë ai.
ZERI