Brezovicë, 26 shkurt 2006 – Ata vijnë në Shqipëri për detin dhe rërën, ne mund të shkojmë atje për ski dhe dëborë. Ku? Në Kosovë, pra! Jo më shumë se 90 kilometra në jug nga Prishtina, në kufi me Maqedoninë gjendet një nga qendrat më të mëdha të skijimit në Ballkan, Brezovica, një fshat turistik, ku shqiptarët janë rikthyer pas luftës duke rindërtuar vilat e djegura dhe duke blerë shtëpitë e serbëve. Nuk është thjesht çështje atdhetarie, por pa dyshim kënaqësi të nisesh një ditë të shndritshme dëbore nga Prishtina në drejtim të maleve të Sharrit, për të zbuluar atë që kosovarët e quajnë “margaritar” të turizmit të tyre dimëror, Brezovicën.
Sado elitar të duket, ky lloj turizmi ka nisur t’i tërheqë gjithnjë e më tepër shqiptarët e Kosovës, ndërsa të paktë janë ata prej Shqipërie që e njohin këtë destinacion të veçantë të gjysmës tjetër shqiptare. Rrugës nga Prishtina drejt Brezovicës nuk numëruam më shumë se 2-3 syresh që ngjiteshin me makinat e tyre drejt qendrës së skijimit. Ndërsa makinat e ndërkombëtarëve të Kosovës dhe të turistëve të huaj që udhëtonin drejt Brezovicës ishin të shumta, pa dyshim që pjesa më e madhe e atyre që rendnin për ski ishin kosovarë. Fundjava në stacionin e skive është një nga alternativat më të preferuara për ta. Sidomos ditëve të kthjellëta, pa erë dhe me diell.
E tillë ishte e diela jonë e muajit shkurt. Por ditë të tilla të bukura dëbore gjen në këtë stacion skish deri në muajin maj. Sipas të dhënave të departamentit të turizmit pranë Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, qendra e Brezovicës drejt së cilës po udhëtojnë, shtrihet në një territor prej 2 500 hektarësh, në një lartësi nga 1 718 deri në 2 522 metra mbi nivelin e detit. Ndërsa shtigjet e rregulluara për skijim që na presin në Brezovicë janë plot 40 kilometra. Shtigje të lakuara siç duhet dhe disa prej të cilave janë të gjata deri në 5 kilometra secila. Statistika e lakueshmërisë mesatare të këtyre shtigjeve është 38%, gjë që entuziazmon edhe më profesionistët e skijimit.
Kështu, të dielën e dytë të shkurtit 2006 Brezovica na priste e populluar si çdo të diel dimri. Vargu i gjatë i makinave të parkuara niste ende pa iu afruar rrëzës së malit, ndërsa në faqen e malit që dukej nga rruga, më profesionistët kishin nisur skijimin e guximshëm. Nuk është e lehtë të parkosh pranë stacionit, në mënyrë që të shmangësh një copë të mirë rruge në këmbë, por me pak insistim arrijmë të gjejmë një vend afër stacionit të poshtëm. Një udhëtim fare i shkurtër me kabinë të ngjit në sheshpushimin e madh të stacionit të skive, aty ku gjenden baret e vogla dhe ku tregtohen e jepen me qira mjete të skijimit. Nëse nuk ke marrë me vete të tilla, duhet të marrësh parasysh që çmimet janë të kripura, por mund të gjesh nga të gjitha llojet e pajimeve. Në kafenenë e madhe të hotelit “Molika”, nuk është e lehtë të gjesh as vend dhe as pije të mira të ngrohta. Ani, bora dhe koha duken në favorin tonë.
Grupet e organizuara të të rinjve që ngjiten çdo fundjavë, janë të shumta, por frekuentuesit e rregullt të këtyre anëve tregojnë se të shumtë janë edhe studentët që zhvillojnë praktikat mësimore atje lart dhe jo thjesht fundjavave por për periudha më të gjata. Ndonjëherë u duhet të bien pre e tekave të prerjeve të energjisë elektrike që mund t’i lërë edhe për një kohë të gjatë varur në teleferik, por humori dhe pozitiviteti i moshës bën që gjithçka të përfundojë mirë për ta. Ndërsa për prindërit e shoqëruar me fëmijë aventura të tilla në teleferikun e hapur nuk janë aq të këndshme, prandaj preferojnë të frekuentojnë ambientet më pranë qendrës, në kodrinën më të butë dhe më pak të rrezikshme për skiatorët e vegjël apo diletantët e skijimit.
Sidoqoftë ata mund të shfrytëzojnë teleferikun e vogël që i ngjit duke skijuar deri në një farë pike, në mënyrë që të zbresin mandej vetë, duke përdorur gjithë teknikën dhe artin e tyre të skijimit ose të rrokullisjes teposhtë. Në radhë për të praktikuar këtë lloj skijimi qëndrojnë të vegjlit, por edhe të rriturit. Më të guximshmit preferojnë të marrin teleferikun më të gjatë dhe të hidhen me ski në faqen tjetër të malit që gëlon nga ata më sportivët. Mundësitë e shumta për t’u zbavitur dhe mjetet e infrastruktura sportive i kanë lënë lojërat fëminore me topa bore në prehistori, ndërsa edhe më i vogli prej tyre kërkon të zbresë me skitë e veta nga teleferiku.
Stacioni më i ri i nisjes së teleferikut është vendosur në “Livadhin e Madh”, në një lartësi prej 1 718 metra mbi nivelin e detit, ndërsa stacioni i mbërritjes nga ky teleferik është vendosur në 2 212 metra lartësi mbi det. Përveç shtëpive dhe vilave private, disa prej të cilave jepen edhe me qira, dy nga hotelet më të njohura të Brezovicës janë “Molika”, hotel i cili gjendet në pikën më të lartë ku nisin edhe shtigjet e skijimit dhe i vendosur shumë afër teleferikut të poshtëm, në një lartësi prej 1 750 metra mbi det dhe hotel “Narcis”, që gjendet në fshatin e Brezovicës, 9 kilometra larg shtigjeve të skijimit, por që ka kushte më të mira sesa hotel “Molika”, i cili pritet të privatizohet dhe të restaurohet së shpejti.
Edhe pse i administruar dhe i menaxhuar kryesisht nga komuniteti serb, qendra e skijimit të Brezovicës frekuentohet rregullisht dhe pa probleme apo incidente nga ana e kosovarëve, të cilët shkojnë rregullisht fundjavave aty për t’u argëtuar, me grupe shoqërore ose me familjet e tyre. Sipas stafit serb të qendrës së skijimit, gjatë fundjavave numri i vizitorëve shkon deri në 2-3 mijë vetë, ndërsa gjatë gjithë sezonit numërohen më shumë se 100 mijë vizitorë. E ndërtuar në vitet 70, qendra e skive në Brezovicë nuk ka marrë prej kohësh investime nga shteti, megjithëse ende nuk është privatizuar.
Belina Budini / Shekulli