Sharrcem privatizohet për 30 milionë euro

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) e ka shitur ndërmarrjen e çimentos “Sharrcem” nga Hani i Elezit për 30.1 milionë euro. Kjo ndërmarrje i është shitur kompanisë greke “Titan Group”.

Dino Asanaj, kryetar i Bordit të drejtorëve të AKP-së, ka thënë se shitja e ndërmarrjes është bërë e mundur duke respektuar Ligjin për investimet e huaja dhe obligimet kontraktuese ndërmjet UNMIK-ut dhe Sharr Beiteiligung GMBH të vitit 2000.

Ai ka sqaruar se ndërmarrja që e kishte komercializuar “Sharrcemin” në vitin 2000 ka investuar 22.5 milionë euro në ndërmarrje, të cilat investime i janë njohur komercializuesit, i cili ka premtuar se në të ardhmen do t’i investojë edhe 35 milionë euro të tjera.

“Totali i investimeve të huaja direkte në fabrikën e ‘Sharrcem’ do të jenë deri në 87.6 milion euro”, ka thënë Asanaj.

Ai e ka vlerësuar shitjen e “Sharr Cemit” si një arritje të jashtëzakonshme në progresin e privatizimit në Kosovë.

ECIKS