Prishtinë, 5 prill – Shefi i Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut, Joakim Ryker u shpreh optimist se shumë procese ekonomike në Kosovë po ecin përpara, sidomos gjatë disa javëve të kaluara. Në procesin e privatizimit, tha Ryker në një takim me gazetarë, është shënuar përparim, duke paralajmëruar se brenda këtij muaji do të shpallet raundi i pestë i privatizimit, të cilin e kanë përkrahur edhe anëtarët e Bordit të drejtorëve të AKM-së. Njëherësh ai bëri të ditur se AKM po përgatit edhe raundin e gjashtë të privatizimit, duke e vlerësuar këtë si një “fillim ambicioz” kur brenda 12 muajve të ardhshëm do të privatizohen 90 për qind e vlerës së ndërmarrjeve shoqërore.
Duke folur për investimet Ryker tha se Kosova tashmë e ka rregulloren për këtë çështje si dhe privilegjet për investitorët e huaj. “Tashmë në Kosovë e kemi rregulloren për investimet e huaja, ku sigurohen privilegjet për investimet e huaja, trajtimi i barabartë dhe jodiskriminues si dhe lëvizja e lirë, për të cilën ne duhet t’i njoftojmë investitorët e huaj”.
Ryker njoftoi se një marrëveshje të tregtisë së lirë UNMIK-u do ta nënshkruajë edhe me Turqinë si dhe me vendet e tjera të rajonit. Me këtë rast ai vlerësoi si një zhvillim pozitiv edhe marrëveshjen kornizë mes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankës Evropiane të Investimeve për pranimin e Kosovës, sikur edhe marrëveshjen ndërmjet UNMIK-ut dhe komunave për një garanci prej 99 vjetësh për pronën që administrohet nga UNMIK-u.
Po ashtu Ryker theksoi se nga zyra ligjore në Nju Jorku AKM-së duhet t’i vazhdohet mandati për ta përfunduar punën në shitjen e ndërmarrjeve shoqërore deri në qershor.
Ndërkaq për të lehtësuar mbarëvajtjen e procesit, zyra ligjore në Nju-Jork duhet të ndryshojë rregulloret e AKM-së, që do të ndikojë në zhbllokimin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore të Gjakovës.
ECIKS / RTK