Prishtinë, 6 shtator 2007 — E sigurt për fitore në garën për projektin Kosova C, kompania gjermane RWE është akomoduar në një objekt në Prishtinë për ta promovuar për qytetarët edhe më shumë profilin e saj si kompania e dytë me e madhe në Evropë për gjenerimin e rrymës. RWE ia ka mësyrë Kosovës, sepse beson që do të jetë një qendër për prodhimin e energjisë në tërë rajonin, ndërsa shefi i projekteve në këtë kompani, Holger Bietz predispozitat që i ka Kosova i vlerëson si ideale.
Sipas tij, nëse gjithçka shkon ashtu siç kanë planifikuar, në vitin 2008 mund t’ia fillojnë ndërtimit të gjigantit Kosova C.
Express:RWE është njëra ndër katër kompanitë e parakualifikuara për tenderin e projektit Kosova C.Cili është profili i RWEsë? Publiku i Kosovës nuk është i informuar mirë rreth përparësive dhe dobësive të saj…
Bietz: Ne kemi ardhur këtu të bëjmë një vizitë të shpejtë, të elaborojmë pak për profilin e kompanisë tonë. Jemi kompania e dytë më e madhe për gjenerimin e rrymës në Evropë. 7 për qind i prodhimit të rrymës në Evropë na takon neve. Rreth 70 mijë persona punojnë në kompaninë tonë dhe ata janë shumë aktivë në prodhim të rrymës, në distribuim dhe furnizim. Jemi aktivë në të gjitha format e arritjes së energjisë nukleare dhe të burimeve të ripërtërishme të linjitit e gazit, sidomos arritja e energjisë nga linjiti është njëra prej fuqive tona kryesore. E bëjmë në mënyrë të integruar, ku përpunimi nga minierat edhe gjenerimi i rrymës janë të integruar në 1 njësi. Dhe, jemi të njohur që mundohemi t’i optimalizojmë veprimet tona, p,sh nëse rryma është e shtrenjtë në Gjermani, atëherë ne bëjmë prodhimin e shtuar të thëngjillit ashtu që të stabilizohet çmimi. Besomë, sa i përket Kosovës, fuqia jonë qëndron në partnerët tonë dhe besoj që 3 konceptet kryesore janë përgjegjësia shoqërore, të jemi fer dhe përfitimet e shtuara të dyanshme ekonomike, si dhe teknologjitë më të avancuara të sotme e ato të nesërme.
Express: Pse Kosova? Çka po e tërheq RWE-në në tregun e Kosovës kur,siç edhe kemi raportuar shpeshherë, ne kemi probleme me reduktime të energjisë dhe jo shumë shpresë për rregullimin e shpejtë të sektorit të energjisë?
Bietz: Ne kemi besim të plotë në gjasat makroekonomike të Kosovës. Besojmë që do të jetë një qendër për prodhimin e energjisë në tërë rajonin dhe besojmë që predispozitat që i ka Kosova janë ideale. Ne besojmë, po ashtu, se njëra prej këtyre predispozitave është popullsia e re e aftësuar, që do të kontribuojë në zhvillimin e Kosovës dhe ky vend ka resurse shumë të mira të linjitit, njëjtë siç i kemi edhe ne në Gjermani. Dhe, këto do të eksploatohen për përfitime, për të mirën e kosovarëve, por edhe të rajonit. Sa i përket zgjidhjeve të shpejta në sektorin e energjisë, besojmë që të gjitha nivelet e furnizimit të energjisë kanë nevojë për kujdes, pra është prodhimi, është transmetimi ose bartja dhe është distribuimi. Fillimi do të jetë me gjenerim, pra me krijim dhe idealisht kjo do të bëhet në mënyrën e njëjtë siç e kemi bërë në Hungari, Gjermaninë Lindore, duke bërë solucione të integruara në fushën e furnizimit me linjit. Krijimi i energjisë nuk është diçka që mund të bëhet më zgjidhje të shpejta, prandaj ne së pari do t’ia fillojmë prej resurseve ekzistuese të gjenerimit. Do t’i shikojmë solucionet e mundshme në interime dhe pastaj të shikojmë hapat e ardhshëm afatgjatë. Por kemi besim që do të punojmë së bashku me njerëzit e këtyre kompanive ekzistuese, atëherë edhe do të jemi të suksesshëm.
Express: A do ta përmirësojë Kosova C situatën e furnizimit me energji dhe në përgjithësi situatën ekonomike, apo kjo nënkupton vetëm eksport?
Bietz: Pyetje shumë e drejtpërdrejtë dhe përgjigje shumë e drejtpërdrejtë. Kosova është e para, eksporti i dyti. Mirëpo, eksportet prapë janë në të mirë të Kosovës, sepse ato do t’i ndihmojnë normalisht pikë se pari Kosovës.
Express: Ne kemi parë në raporte të ndryshme se të dhënat ambientale të RWE-së janë shumë të fuqishme. A do ta ulë RWE-ja ndotjen në Kosovë apo do të na sigurojë zgjidhjen më të pastër të mundshme?
Bietz: Të gjitha investimet në sektorin e energjisë konsiderohen prej 3 aspekteve; E para është sigurimi i gjenerimit të siguritë, e dyta është konsiderata ambientale dhe e treta është çmimi që do të jetë i mirë për popullatën. Dhe, që të 3 këto duhet të zhvillohen. Kjo është e qartë. Do të fillojmë me sigurimin e sigurt, por natyrisht që do të krijojmë solucione që janë afatgjate për të mirën e politikave ambientale dhe ambientit. Në këtë aspekt, RWE-ja do të ketë mundësi të sjellë teknologjitë më të reja dhe më të mira për ambientin. Një ekspertizë e madhe që e kemi është psh ajo e rikultivimit, që, d mt h, pas përdorimit të linjitit nga zona të caktuara ato të ripërdoren, rikultivohen dhe të ripopullohen. Dhe, ndihma e dytë që do ta japë Kosova është pra ripopullizimi ose bartja e popullatës në mënyrat që janë të përgjegjshme për shoqërinë dhe të kujdesshme. Ne me dhjetëra mijëra njerëz i kemi bartur në Gjermani, prej një rajoni në tjetrin, aty ku i kemi ndërtuar elektranat. Termocentralet tona më të reja të linjitit, që prodhojnë, punojnë me një efektshmëri prej 44 për qind dhe tash do të arrijmë deri në 50 për qind efektshmerinë e tyre në të ardhmen. Edhe në Gjermaninë Lindore, pasi që ra muri i Berlinit, e kemi bërë një gjë të tillë, e, po ashtu, edhe në Hungari e kemi arritur të njëjtën gjë dhe kemi dëshirë ta bëjmë të njëjtën punë edhe në Kosovë.
Express: A frikësoheni se procesi nuk është sa duhet transparent dhe a jeni të kënaqur me rolin e deritashëm të bartësve të projektit; lokalë dhe ndërkombëtarë të përfshirë në proces?
Bietz: Aktualisht nuk kemi asnjë arsye të besojmë që ky proces nuk mund të jetë transparent, edhe pse natyrisht gara e vërtetë ende nuk ia ka nisur, përpos parakualifikimit ku kemi marrë pjesë. Në anën tjetër, ne të gjitha proceset i kontrollojmë tërë kohën dhe kemi ndjenja shumë të forta sa i përket etikës dhe transparencës së proceseve. Besojmë që proceset transparente janë e vetmja mënyrë për të shkuar përpara dhe besojmë se çdo njëri duhet të ketë mendimin se transparenca duhet të jetë udhërrëfyes për biznesin. Në anën tjetër, ka edhe arsye taktike se pse ne dëshirojmë të investojmë në asete dhe nëse lejojmë që proceset të jenë jo transparente, atëherë ne i rrezikojmë investimet tona.
Express: A jeni të kënaqur me zgjedhjen e konkurrencës? A mendoni se lista siguron zgjidhje adekuate për Kosovën?
Bietz: Ne jemi të kënaqur me garuesit në këtë garë. Janë mjaft të fortë dhe i njohim mirë, por në anën tjetër besojmë se predispozitat dhe fuqitë e kompanisë tonë janë unike dhe janë shumë të përshtatshme për nevojat e Kosovës.
Express: Kur shpresoni se kompania fituese do të fillojë me ndërtimin?
Bietz:Natyrisht, shpresojmë sa me shpejt që është e mundur. Të gjitha proceset tjera rregullative, lejet qeveritare, politikat duhet të jenë në vend para së procesi t’ia fillojë me të vërtetë. Nëse këto përfundohen, ne kemi shpresë se më 2008-ën mund t’ia nisim me ndërtim.
Express: Kosovarët i pëlqejnë produktet gjermane dhe kompanitë gjermane si pasojë e seriozitetit të tyre. A nënkupton arritja eventuale e RWE-së për Kosovën si një investues në një zonë miqësore? Dhe, pjesëmarrja juaj a do të sjellë investues të rinj në sektorë tjerë?
Bietz: Përfundimisht do të them po dhe do të jap një shembull të vogël. Aktualisht jemi duke udhëhequr vendin më të madh ndërtimor për Evropën afër Kelnit, ku jemi duke ndërtuar 2 blloqe me nga 1000 mijë megavat. Mijëra ndërtimtarë janë duke punuar në atë vend dhe normal përfitimet më të mëdha janë për kompanitë lokale dhe bizneset lokale, si dhe disa prej prodhuesve më të mëdhenj botërorë të mekanikës së termocentraleve, por dhe kompanitë më të mëdha botërore janë prezent aty, pra pas neve. Normalisht në momentin që e stabilizoni prodhimin e rrymës, atëherë kompanitë tjera që shpenzojnë rrymë do të na përcjellin dhe investimi jonë do të jetë me përfitim të madh për popullin e Kosovës dhe tërë shoqërinë. Çelësi i zhvillimit do të jetë energjia dhe ne do ta prodhojmë atë se bashku me juve.
(Marrë nga Gazeta Express)