Ruecker: Jo rivlerësimit të tenderit për operatorin e dytë

Prishtinë, 16 shkurt 2006 – Udhëheqësi i Shtyllës së IV-të të UNMIK-ut, Joachim Ruecker, edhe një herë i ka bërë të qartë Qeverisë së Kosovës, se nuk do të ketë rivlerësim të tenderit për operatorin e dytë të telefonisë mobile. Sipas tij, UNMIK-u e përkrah Qeverinë në përgatitjen e një tenderi të ri për të nxitur konkurrencën në një kohë shumë të nevojshme për tregun, por se tenderi i parë është shpallur i pavlefshëm.

Sipas shefit Shtyllës së IV-të, për këtë çështje Shefi i UNMIK-ut i ka shkruar edhe Kryeministrit të Kosovës. “Ne i kemi thënë shumë qartë Qeverisë se e vetmja rrugë për të ecur përpara është që të shpallet një tender i ri për një operator të dytë”, ka thënë Ruecker. Ruecker ka bërë publik gjithashtu edhe nënshkrimin e rregullores që ju lejon komunave të menaxhojnë me tokën shoqërore. Ai është shprehur i kënaqur me ofertuesit e djeshëm për ndërmarrjet që po privatizohen nga AKM. Sa i përket finalizimit të marrëveshjes ndërmjet KEK-ut dhe “Alferonit”, për furnizim të rregullt me energji elektrike, Ruecker njoftoi se bisedimet mund të marrin edhe disa ditë.

Ndërkaq prej sot Shtylla e IV-të, do të mbaj konferenca të rregullta për shtyp, për çdo javë.

ECIKS / RTK