Qehaja: Kosova nuk ka dorëzuar asnjë projekt në BEI

Banka Evropiane për Investim – BEI pritet të japë mbi 30 milionë euro kredi për sektorin publik kosovar vetëm gjatë vitit të ardhshëm

Prishtinë, 6 qershor 2005 – Kosova nuk ka dorëzuar asnjë projekt për financim në Bankën Evropiane të Investimeve (BEI), ndërkaq, sipas zyrtarëve të qeverisë, lëshimi i ndonjë kredie nga kjo bankë mund të ndodh vetëm vitin e ardhshëm.

“Ende nuk është dërguar asnjë projekt në Bankën e Investimeve, dhe as që pritet të dërgohet ndonjë së shpejti”, pohon Driton Qehaja, këshilltar për çështjet ekonomike i kryeministrit të Kosovës.

Ai thotë se ende është duke u biseduar me përfaqësuesit e BEI-së, më shumë në aspektin teknik se si do të përfitohen kreditë.

“Jemi duke diskutuar me përfaqësues të BEI-së. Para pak ditësh kanë qenë tre përfaqësues të BEI-së dhe kemi biseduar për të gjitha mundësitë që i ofrohen Kosovës nga ky institucion financiar”, thotë Driton Qehaja.

“Do të hartohen 3-4 projekte deri në fund të vitit dhe të dorëzohen në BEI për financim. Sipas bisedimeve që kemi pasur me BEI-në, për secilin projekt, kjo bankë mund të jap kredi nga 7-10 milionë euro për secilin projekt”, deklaron këshilltari për çështjet ekonomike në qeveri.

Ndërkohë, kredia e parë që do të lëshohet, do të shkojë në sektorin publik, përkatësisht përfitues të parë do të jenë ndërmarrjet publike.

Ndërkohë, përfaqësuesja e Bankës Evropiane për Investime, Grammatiki Tsingon ka thënë se paratë që Kosova do marrë nga ky institucion përmes kredisë, do të kenë një interes prej 2,5 për qind në vit.

Banka e Investimeve është institucion financiar i Bashkimit Evropian, dhe është themeluar 50 vite më parë, me seli në Strasburg. Përfitues të mjeteve të kësaj banke janë vetëm qeveritë e shteteve anëtare, kurse në rastin e Kosovës është bërë përjashtim.

ECIKS / Biznesi