Që tani mund të niset autostrada drejt Shkupit

Autostrada e dytë kosovare mund të nisë së ndërtuari këtë vit. Ministria e Financave ka marrë dritën jeshile nga Fondi Monetar Ndërkombëtar që të fillojë procedurat për ndërtimin e “Rrugës 6”, që duhet të lidhë Prishtinën me Hanin e Elezit, në drejtim të Shkupit. Këtë e konfirmoi edhe ministri i Financave, Bedri Hamza, shkruan Koha Ditore.

Ndërtimi i kësaj autostrade nuk do të ketë implikime buxhetore gjatë këtij viti. Procedurat e tenderimit që, sipas tij, mund të nisin nga kjo javë nëse janë të gatshme, mund të zgjasin deri në vitin e ardhshëm.

Nga zyrtarë në Ministrinë e Infrastrukturës, thuhet se nuk do të ketë kurrfarë vonesash në ndërtimin e autostradës drejt Shkupit. Sipas tyre, autostrada Prishtinë – Han i Elezit, e quajtur edhe “Rruga 6”, do të nisë të ndërtohet më së largu në fillim të vitit 2013, porse kjo mund të ndodhë edhe më herët, në fund të këtij viti.“Gjatë vitit 2012 do të përfundohen të gjitha procedurat, siç është shprehja e interesit për kompanitë që do ta ndërtojnë atë, do të finalizohet edhe pakoja tenderuese, dhe në fund të bëhet edhe përzgjedhja e kompanisë fituese”, është bërë e ditur nga një zyrtarë i kësaj ministrie.

Qeveria e Kosovës i ka premtuar FMN-së se do të heqë dorë së paku gjatë vitit 2012 nga projekti i autostradës së dytë. Sipas të njëjtit dokument zyrtar, gjatë vitit 2012 do të bëhen planifikimet e duhura nën asistencën e Bankës Botërore për të gjetur një version të favorshëm për financimin e ndërtimit të “Rrugës 6“.

Ndërtimi i kësaj autostrade pritet të ketë një kosto prej afro 600 milionë eurosh, siç parashihet me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2012-2014. Megjithatë, kostoja finale do të dihet tek pas konkurrimit të kompanive në tenderin për shprehje të interesit.

/Koha /