Mbi 40 mijë euro u janë ndalur punëtorëve të ndërmarrjes shoqërore “Auto Shtëpia ‘Mustafa Rexhepi’” në Ferizaj, kurse 34 mijë euro u janë ndalur punëtorëve të ndërmarrjes shoqërore “SH.A.H Kosova” në Gjilan për ankesat në Odën e Veçantë. Tash e tutje, AKM-ja për ankesa eventuale do të ndalë dhjetë për qind nga shuma e 20-përqindëshit të privatizimit që u takon punëtorëve
Arbana Xharra
Prishtinë, 1 gusht 2007 – Vetëm prej dy ndërmarrjeve të privatizuara nga 20-përqindëshi që u takon punëtorëve janë ndalur mbi 70 mijë euro, me vendim që të ruhen për ankesat që bëhen nga punëtorët e papërfshirë në listat e aprovuara nga Oda e Veçantë e Gjykatës Supreme për Çështje të AKM-së.
Mbi 40 mijë euro më pak u janë dhënë punëtorëve të ndërmarrjes shoqërore “Autoshtëpia ‘Mustafa Rexhepi’” në Ferizaj, kurse 34 mijë euro u janë ndalur punëtorëve të ndërmarrjes shoqërore “SH.A.H Kosova” në Gjilan.
Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, tha se kjo është mënyra më e mirë për t’u përshpejtuar ndarja e 20-përqindëshit të mjeteve të privatizimit që u takojnë punëtorëve sipas rregullores së privatizimit të aprovuar nga AKM-ja.
“Deri më tash për një ankesë është vonuar shpërndarja e parave, tash e tutje 10 për qind e shumës ndalet për ankesa, nëse nuk ka atëherë sërish u ndahen punëtorëve”, tha të martën kreu i BSPK-së Haxhi Arifi.
Mirëpo, ka gjasa që shuma që do t’u ndalet punëtorëve të jetë edhe më e lartë se dhjetë për qind, sipas letrës që shefi i departamentit të likuidimit, Denis Garland, i ka dërguar kreut të BSPK-së.
“Në rast të rrethanave të jashtëzakonshme në ndonjë ndërmarrje të veçantë, nëse parashtrohet ankesë për shtimin e një numri më të madh të ankuesve, 10-përqindëshi edhe mund të rritet”, shkruan në këtë letër.
Mirëpo, zyrtarë të BSPK-së thanë se bëhet fjalë për shuma të mëdha të cilat do të grumbullohen nga kjo ndalje që për punëtorët do të jenë mungesë e madhe.
Nga listat që ka siguruar “Koha Ditore” ndalesat që u janë bërë punëtorëve të ndërmarrjes shoqërore nga Gjilani, sillen prej mbi 400 deri në mbi 800 euro për një punëtor. Kreu i BSPK-së tha se ka pasur reagime në mbledhjen e Bordit të AKM-së, ”por unë ju kam bërë të qartë se në këtë mënyrë po funksionon më mirë shpërndarja e parave, 90 për qind të parave i marrin punëtorët kurse 10 për qind u ndalen”, tha Arifi.
Deri tash mjetet e 20- përqindëshit u janë ndarë vetëm punëtorëve të katër- pesë ndërmarrjeve shoqërore , sipas kryetarit të BSPK-së. Edhe para disa muajsh udhëheqja e BSPK-së ka kërkuar që në mënyrë arbitrare të ndalen nga një për qind prej secilit punëtor, që i takon hisja nga shitja e ndërmarrjes shoqërore ku ai ka punuar. Udhëheqësit e BSPK-së kanë urdhëruar punëtoren e tyre që merrej me çështje të privatizimit, që të bëjë bartjen e këtyre parave në xhirollogarinë sindikale.
Ata janë arsyetuar se kjo shumë duhet paguar për anëtarësim në BSPK. Në një dokument të siguruara atëherë nga KD-ja është mësuar se si po kërkohet ndalja e atyre mjeteve. “Kërkojmë nga sektori i financave që të bëjë ndalesën e anëtarësisë për punëtorët e Sindikatës së Metalistëve të Kosovës me rastin e pagesës së 20-përqindëshit nga shitja e ndërmarrjes shoqërore të degës së Metalistëve të Kosovës në shumë prej një për qind”, shkruan në këtë dokument.
Tash kërkohet sërish ndalesa nga 20-përqindëshi dhe nga një tjetër letër mësohet se si do të ndahen këto mjete. Dhjetë për qind nga shuma e përgjithshme e 20-përqindëshit do të mbahet nga AKM-ja në Autoritetin Qendror Bankar për në një periudhë deri në gjashtë muaj.
“Kjo pjesë do të jetë në dispozicion për t’i paguar ata që i bashkëngjiten listës përmes vendimeve plotësuese, ose të korrigjohen gabimet në llogaritje. Posa të jemi të sigurt se nuk do të parashtrohen më ankesa për përfshirje në listë dhe nuk do të ketë korrigjime të listës, ky 10-përqindësh do t’u shpërndahet atyre që janë të kualifikuar për të marrë mjetet e 20-përqindëshit”, shkruan në letrën që Denis Garland, udhëheqës i departamentit të likuidimit në AKM, i ka dërguar kreut të BSPK-së.
Koha Ditore