Paratë e PTK-së do të shfrytëzohen në rrugë, shëndetësi e arsim

PRISHTINË, 15 SHTATOR – Qeveria e Kosovës ka vendosur që 250 milionë euro të grumbulluara nga fitimi i Postës dhe Telekom unikaci – onit të Kosovës të shfrytëzohen për investime kapitale, shëndetësi, arsim dhe në zgjerimin e shërbimeve postare.

Zëvendësministri i Ministrisë për Ekonomi dhe Financa, Bedri Hamza, tha se paratë e PTK-së të cilat po vazhdojnë të ruhen nëpër bankat komerciale të Kosovës janë krijuar profit si rezultat i menaxhimit të tyre dhe si rezultat i pozitës së ndërmarrjes që ka pasur në treg. “Është mirë që ato para që janë edhe investime kapitale të shfrytëzohen në infrastrukturë rrugore edhe ndoshta një pjesë e tyre në shëndetësi, arsim edhe në zgjerim të shërbimeve postare”, ka thënë Hamza, duke shtuar se këto para do të shpenzohen sipas ligjeve ekzistuese dhe në mënyrë transparente. Zyrtarët e lartë të Zyrës Ndërkombëtare Civile në Kosovë ditë më parë përmes një memorandumi të brendshëm kanë thënë se Qeveria nuk është duke i menaxhuar si duhet ndërmarrjet publike dhe se janë të shqetësuar se si do të harxhohen 250 milionë euro të PTK-së.

“Mbrojtja e parave të PTK-së të akumuluara prej 250 milionë eurosh janë shqetësim specifik “, shkruan në memorandumin e brendshëm të ICO-s. “Në këtë kontekst është me rëndësi të ceket se Qeveria nuk e ka zhvilluar ende politiken e saj për pronësi të ndërmarrjeve publike e as që ka krijuar njësinë për mbikëqyrjen e ndërmarrjeve publike, e cila duhet të funksionojë në kuadër të MEF-it”, thuhet në memorandumin e brendshëm, ku shtohet se kjo njësi do të duhej të monitoronte menaxhimin e ndërmarrjeve publike. Kjo situatë, sipas tyre, rrit edhe rrezikun për kthimin prapa të NP-ve apo edhe të dekorporatizimit të tyre. Opozita ka kërkuar që për mjetet e PTK-së, të cilat janë pronë publike, të diskutohet dhe të vendoset në Kuvendin e Kosovës. Ata kanë thënë se dyshojnë që Qeveria e Kosovës do të nxjerrë si rend dite këtë çështje në organin më të lartë shtetëror, Kuvendin e Kosovës. “Duhet me pas debat në Kuvend për paratë e PTK-së. Ato para duhet investuar ku ka kthim të tyre, sepse janë para të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë të hënën Ardian Gjini, nga AAK-ja. Ai ka konsideruar se për këto para nuk ka të drejtë askush pos Kuvendit të Kosovës që të vendosë se cili do të jetë destinimi i tyre.

“Përfundimisht duhet të ketë debat në Kuvend edhe për paratë se si janë shpenzuar deri tash dhe për ato që planifikohet të shpenzohen”, ka shtuar Gjini. Ai bëri të ditur se gjatë Qeverisë së kaluar ka qenë një vendim që këto mjete të dedikohen për projekte kapitale, energji autostradë.

“Por, mendoj se Qeveria nuk është e interesuar që të ketë debat në Kosovë për këto çështje“, ka thënë mes tjerash Gjini. Shefja e Komisionit parlamentar për çështje ekonomike nga AKR-ja, Myzejene Selmani, e bindur tha se Qeveria këtë çështje nuk do ta hapë në Kuvend. “Këto janë top sekrete të Qeverisë, nuk pres bile që për këto mjete të diskutohet në Kuvend, sepse po shihet se Qeveria nuk është në rrjedha normale”, ka thënë Selmani.

Ajo tha se Qeveria edhe kur ka marrë me 120 milionë euro nga buxheti i PTK-së, nuk ka bërë të ditur se ku do t’i shfrytëzojë këto para. “Kuvendi i Kosovës vazhdimisht është duke u anashkaluar nga Qeveria”, ka thënë Selmani.

Drejtori financiar i PTK-së, Isak Krasniqi, ka bërë të ditur se paratë e PTK-së janë të shpërndara nëpër të gjitha bankat komerciale të Kosovës. “Paratë janë kryesisht në “ProCredit Bank”, por ka të shpërndara edhe nëpër bankat e tjera”, ka thënë Krasniqi. Ai tha se në mungesë të investimeve kapitale këto para janë grumbulluar dhe se kapitali aksionar i PTK-së është vlerësuar 260 milionë euro.”Në maj të këtij viti Bordi i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM) ka marrë vendim që të zvogëlohet kapitali aksionar për 120 milionë euro”, ka thënë drejtori financiar i PTK-së.

Koha Ditore