Ora kërkon seancë të jashtëzakonshme për ekonominë

Prishtinë, 8 qershor 2005 – Sipas një njoftimi nga Ora, bëhet e ditur se iniciativa e Grupit Parlamentar ORA për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme me qëllim të trajtimit të problemeve ekonomike në Kosovë, e përkrahur nga Grupi Parlamentar i PDK-së si dhe deputetë tjerë të Kuvendit të Kosovës, i është dorëzuar sot Sekretarisë së Kuvendit të Kosovës.

Kërkesa ka marrë përkrahjen e më shumë se 40 deputetëve, numër ky i mjaftueshëm për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme, në bazë të Rregullores së Punës të Kuvendit të Kosovës (rregulla 23, pika 5). Kjo rregull obligon Kryesinë e Kuvendit që ta thirr një seancë të jashtëzakonshme në afat të ngutshëm nëse 1/3 e deputetëve (40 deputet) të Kuvendit të Kosovës e kërkojnë një gjë të tillë. Duke u bazuar në raportet e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore lidhur me trendet makroekonomike në Kosovë si dhe duke u bazuar në informacionet e përditshme për gjendjen e rëndë ekonomike të qytetarëve të Kosovës, ORA e ka vlerësuar si të nevojshme hapjen e debatit për këtë çështje në Kuvendin e Kosovës dhe në këtë drejtim ka gjetur përkrahjen e deputetëve të PDK-së dhe deputetëve tjerë të Kuvendit të Kosovës.

ECIKS / RTKLive