Prishtinë, 1 shtator 2005 – Me këmbimin e letrave ndërmjet shefit të UNMIK-ut Soren Jessen Petersen dhe zëvendëskryeministrit maqedonas Minço Jordanov, është nënshkruar sot Marrëveshja për tregti të lirë mes Kosovës dhe Maqedonisë. Marrëveshja mundëson shkallë të lartë të liberalizimit të tregtisë dhe do të zbatohet sipas rregullave të Organizatës tregtare botërore, ndërsa kohëzgjatja e saj është e lidhur me mandatin e UNMIK-ut në Kosovë
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë Minço Jordanov dhe përfaqësuesi i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Soren Jesen Petersen, me këmbim të letrave, kanë nënshkruar sot Marrëveshjen e përkohshme për tregti të lirë mes Republikës së Maqedonisë dhe UNMIK-ut, kështu ka bërë të ditur sot Qeveria e Maqedonisë. UNMIK-u, siç kumton kabineti i kryeministrit te Maqedonisë, këtë Marrëveshje do të fillojë përkohësisht ta zbatojë nga data e nënshkrimit të saj, ndërsa hyrja formale në fuqi do të pasojë pas ratifikimit të saj në Kuvendin e Maqedonisë. Marrëveshja e përkohshme, e cila mundëson shkallë të lartë të liberalizimit të tregtisë, do të zbatohet sipas rregullave të Organizatës tregtare botërore, ndërsa kohëzgjatja e saj është e lidhur me mandatin e UNMIK-ut. Siç thuhet në kumtesë, bëhet fjalë për marrëveshje asimetrike. Tregtia e përgjithshme për import të prodhimeve nga Kosova në Maqedoni është me trajtim të padoganuar, derisa për eksportin e prodhimeve të Maqedonisë në Kosovë është paraparë trajtim pa doganë për 90 për qind të prodhimeve, përveç për tetë prodhime për të cilat dogana vazhdimisht do të zvogëlohet në periudhën e tranzicionit prej dy viteve e gjysmë. Me doganë në Kosovë do të hyjnë nafta, vezët, qepa, lakra, specat dhe vera. Këto prodhime industriale dhe bujqësore do t’i nënshtrohen doganës në periudhë prej 2,5 viteve, pas çka nga 1 janari të vitit 2008 do të lirohen nga dogana. Deri në fund të këtij viti këto prodhime do të kenë doganë prej tetë për qind, ndërsa vitin e ardhshëm shtatë dhe në vitin 2007 do të doganohen me nga gjashtë për qind. Ndryshe, edhe përkundër mos nënshkrimit të deritanishëm të kësaj marrëveshje, Kosova ka më shumë se një muaj që ka filluar ta praktikoj marrëveshjen, e cila sipas ekspertëve ekonomik, ka ndikuar në rritjen e buxhetit të Kosovës.
ECIKS / RTKLive