Në verë pritet t'i kthehen Kosovës preferencat tregtare

Prodhuesit kosovarë duhet të presin edhe disa muaj që t’u hapen rrugët për eksportin e mallrave të tyre drejt tregjeve të BE-së. Kthimi i preferencave tregtare të BE-së për Kosovën do të mundësojë që prodhimet kosovare të vazhdojnë të kalojnë në tregun evropian pa iu nënshtruar tarifave doganore.

Kosova deri në fund të vitit 2010 i ka pasur këto preferenca të cilat i ka vendosur BE-ja për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Mungesa e tyre gjatë kësaj periudhe të këtij viti u ka sjellë humbje prodhuesve vendorë.

Zyrtarë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kanë thënë se për kthimin e këtyre preferencave kanë filluar edhe bisedimet me Komisionin Evropian. “Ne kemi filluar të përgatisim edhe materialin për këtë marrëveshje dhe shumë shpejt do të udhëtojmë në Bruksel që të bisedojmë me shtetet anëtare të BE-së që të mundësojnë kthimin e preferencave tregtare”, është thënë.

Komisioni Evropian i kishte vendosur këto masa për të gjitha vendet që janë pretendente për t’u futur në bllokun 27-anëtarësh, në mënyrë që të mbështesin integrimin ekonomik me BE-në, të forcojnë stabilitetin politik dhe përparimin ekonomik në mbarë rajonin.

ECIKS / Telegrafi