PRISHTINË – Qeveria e Kosovës shumë shpejt do të mund të numërojë gati përgjysmë më pak shërbyes civilë sesa ka tani. Kjo nuk do të thotë se do të ketë përjashtime rekorde nga puna të shërbyesve civilë, por mund të ketë përjashtime nga listat e emrave që gëzojnë këtë përshkrim detyre në vendet e tyre të punës. Një vendim i prerë rreth kësaj çështjeje do të merret pas përfundimit të një studimi mbi funksionalitetin e Qeverisë, si dhe pas hulumtimit të praktikave më të mira që kanë ndërmarrë vendet e zhvilluara, të cilat janë ballafaquar me probleme të ngjashme, ka deklaruar në një intervistë për “Kohën Ditore”, ministri i ri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala. Ai po ashtu nuk e mohon as mundësinë e zvogëlimit të numrit të ministrive në Qeverinë e Kosovës, ashtu siç kishte rekomanduar shefi i Fondi Monetar Ndërkombëtar, Edgardo Ruggiero.
Ndërkohë ministri i ri i Financave ka paralajmëruar ndryshime edhe në politikat fiskale, dhe bazuar në deklaratën e tij, pritet të ketë rritje të tatimit në të ardhurat (ku bëjnë pjesë edhe pagat) dhe zbritje të taksave për biznesin privat. Të gjitha këto ndryshime do të merren më së largu deri në fund të pranverës, thotë kreu i MEF-it. Megjithatë, ani nuk ka mundur të thoshte nëse do të ketë rritje pagash për mësimdhënësit, e as në sektorët e tjerë, ashtu siç është premtuar gjatë fushatës zgjedhore, por vetëm është arsyetuar se “kjo çështje do të vlerësohet gjatë rishikimit të buxhetit”.
Shala nuk e përjashton mundësinë që të ulet numri i ministrive
Ahmet Shala, duke vepruar njësoj sikurse shefi i tij, Hashim Thaçi, gjatë fushatës zgjedhore, në fillim të mandatit prej ministri ka dhënë përplot premtime për ndryshime, të cilave megjithatë kur pyetet nëse do t’i realizojë, përgjigjet i jep me një dozë të konsiderueshme rezerve.
“Nuk e kemi për qëllim që të ndërtojmë një qeveri të shtrenjtë dhe jofunksionale”, ka thënë ministri Shala, duke shpalosur për gazetën fillimin e një studimi rreth funksionalitetit të Qeverisë, i cili sipas tij është dashur të përfundohej kaherë. Tani ka filluar një studim, i cili është dashur të bëhet shumë më herët, i financuar nga DFID-i, i cili do të sjellë në pah funksionalitetin e Qeverisë. Në këtë drejtim do të ketë ndihma edhe nga donatorët e tjerë, me qëllim për të matet dhe për zbulohet se ku janë mangësitë në funksionalitetin e qeverisë, pasi që “ne nuk e kemi për qëllim që të ndërtojmë një qeveri të shtrenjtë dhe jofunksionale”, ka pohuar kreu i MEF-it Ai ka përmendur se shtetet e ndryshme kanë praktika të ndryshme rreth kualifikimit se kush hyn në listën e shërbyesve civilë.
“Ekzistojnë praktika, kur disa shërbyes civilë, që tani konsiderohen si të tillë tek ne, të mos quhen kështu, siç janë punëtorët e universitetit, apo edhe të spitaleve”, vlerëson ministri Shala. Megjithatë, ai shton se kjo nuk do të thotë se edhe drejtuesit qeveritarë do të veprojnë njësoj, porse ata vetëm janë duke shikuar se cilat janë praktikat më të mira botërore dhe se si ata kanë zgjedhur këto probleme vendet në transicion. I pyetur nëse bashkë me rishikimin e reduktimit të shërbyesve civilë, do të ketë mundësi të reduktohet edhe numri i ministrive, ashtu siç pati propozuar shefi i FMN-së, Edgardo Ruggiero, ministri Shala konstaton se “pas përfundimit të studimit mbi funksionalitetin e Qeverisë do të reagojmë konform praktikave më të mira dhe specifikave të Kosovës”.
“Mund të them se ka vullnet për të zvogëluar në maksimum shpenzimet e panevojshme në Qeveri, qofshin ato edhe në reduktime të njësiteve të caktuara, pastaj duhet shikuar se mos ka dyfishime të përshkrimeve të detyrave dhe funksioneve, dhe pasi që ta bëjmë një analizë të tillë mund të vijë deri tek shkrirja, tek ndarja apo edhe deri tek ndonjë ndryshim tjetër i organogramit të Qeverisë”, deklaron kreu i MEF-it. Ndërkohë ai ka dhënë shenjë se ndryshime të stafit pritet të ketë edhe në vetë ministrinë që ai drejton. “Absolutisht nuk e mohoj mundësinë e ndryshimeve në MEF, pasi që ato do të jenë në të mirë të funksionalizimit të kësaj ministrie”, është përgjigjur ministri Shala.
Ai më pas ka shtuar se objektivat e Qeverisë, së cilës ai i përket janë qeverisja e mirë, transparenca dhe lufta kundër korrupsionit, dhe shton se “po që se vërehen elemente që nuk janë në përputhje me objektivat tona, sigurisht se do të ketë ndryshime të stafit. Nuk dua të spekulojë se a do të ketë ndërrime të emrave, të strukturave organizative për brenda ministrisë, apo si, por sigurisht se, po qe se ka nevojë dhe nëse raportet e deritashme të funksionalizimit të qeverisë deri më tani kanë treguar mangësi, ne sigurisht se do t’i përmirësojmë ato”. Ai ka thënë se një rol të pamohueshëm në këtë drejtim do ta luajnë edhe raportet e auditimit. “Kjo do të jetë një bazë e mirë për të filluar ndryshimet, por sigurisht se ka edhe elemente të tjera, të cilat duhet të krahasohen dhe të merren parasysh”, ka thënë Shala.
Ndryshimet në tatime
Administrata Tatimore e Kosovës(ATK) do të pësojë shumë ndryshime, që nga emërimi i drejtorit të ri, e deri tek politikat fiskale. Për të kryer këto procese, tashmë kanë filluar të bëhen edhe disa hulumtime dhe është sjellë një ekspert i huaj, i cili po udhëheq procesin e hulumtimit. “Dy javë më parë kemi sjellë një ekspert ndërkombëtar, i cili është duke bërë hulumtimet për ndryshime në politikat fiskale, të cilat do të përcillen me ndryshimet në ATK”, është shprehur ministri Shala.
Ai ka shtuar se “në momentin kur dëshirojmë të ndërtojmë konsensusin se cilat do të jenë ato taksa dhe si do të reformohen ato konform prioriteteve që ka Qeveria, ne do të reflektojmë ato edhe në ndryshimin e organizimit më të mirë në ATK bazuar në këto rekomandime”. Kreu i MEF-it thotë se krahas kësaj, do të punohet edhe në ngritjen e efikasitetit për mbledhjen e taksave dhe në përmirësimin e të gjitha mangësive që janë treguar deri tani në ATK. Ai nënvizon se tek politika fiskale “ndryshimet janë kryesisht ato që i ka kërkuar biznesi” I pyetur nëse kjo nënkupton se do të ketë zbritje apo ngritje tatimesh, ai është përgjigjur se “natyrisht se do te ketë ulje të disa taksave, por mund te ketë disa ngritje, varësisht nga vlerësimet”.
Sipas tij, pas hulumtimit që do të bëhet dhe matjeve që do të dalin nga treguesit makroekonomikë, ku të gjithë faktorët relevantë do të futen, jo vetëm biznesi, por edhe FMN-ja, Banka Botërore dhe donatorët e tjerë, ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë, do të sillet një vendim, “nga i cili do të kenë dobi të gjithë”. “Pa dashur t’i paragjykoj rezultatet e analizës, mendoj se ka hapësirë në rishqyrtimin e tatimit në të ardhura”, ka thënë Shala. Ndërsa, më pas ka thënë se “është angazhim i Qeverisë të përmirësojë bazën e përgjithshme ligjore, dhe kjo do të shkojë në dobi edhe të biznesit privat. Kësaj duhet shtuar edhe shtimi i investimeve të Qeverisë në infrastrukturën rrugore, energji e arsim, investime të cilat kane ndikim pozitiv në biznes”. Megjithatë, ia thotë se një vendim rreth këtyre ndryshimeve do të merret më së largu deri në fund të pranverës. Mirëpo shton se çështja e zbatimit të këtij vendimi mund të fillojë edhe më vonë, pasi nuk dëshirohet të ndërhyhet në skemat buxhetore në mes të vitit.
“Qeveritë e mëparshme janë fokusuar në analizimin e sistemit tatimor të vendit si, dogana, llojet e tatimeve, normat tatimore, bazën tatimore, por duke mos lënë anash edhe rolin e tyre në të hyrat buxhetore. Ndërsa Qeveria e re, ndër të tjera, ka prioritet rishikimin e tërë sistemit fiskal dhe reformat do të bëhen aty ku analizat na japin sinjale për ndryshime”, thotë ai . Shala pohon se shumë shpejt do të vendoset edhe rreth emërimit të drejtorit të ATK-së, pasi që ishministri Haki Shatri në fund të mandatit të tij, pati kërkuar shkarkimin e kreut të atëhershëm të ATK-së, Januz Krasniqi.
Do të rritet GDP-ja
Ministri Shala, ndërkaq, nuk dëshiron të flasë shumë rreth rritjes së bruto produktit vendor(GDP), gjatë qeverisjes së partisë së cilës ai i takon, duke thënë se së pari duhet të dihet numri i banorëve, e pastaj bëhen edhe llogaritjet e GDP-së. Megjithatë, ai vlerëson se “është vështirë të flitet për shifra të sakta, por vlerësimet tona flasin për një rritje të përafërt me atë të shteteve në regjion, që pritet të jetë mesatarisht rreth 5 deri në 6 për qind”. Ndërsa shton se rritja e GDP-së nuk do të varet vetëm nga MEF-i , por nga funksionalizimi i gjithë shoqërisë kosovare, duke përfshirë edhe institucionet jashtëqeveritare. Zhvillimin ekonomik të Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë, Shala e sheh si shumë dinamik. “Pas kësaj shanset hapen, varet prej nesh se sa dimë t’i shfrytëzojmë ato”.
Ndonëse është pyetur se në cilësinë e ish-anëtarit të Bordit të AKM-së, çfarë ndryshimesh mendon se duhet të bëhen në udhëheqjen e AKM-së, ai nuk ka dashur të përgjigjej fare. Ndërsa rreth procesit të privatizimit ai thotë se nga katërqind e më tepër ndërmarrje që janë shitur, rreth 30 kontrata janë nënshkruar, dhe prej të gjitha këtyre kontratave të nënshkruara vetëm 17 janë me spin-off special, dhe vetëm 2 ose 3 kanë probleme mbi përmbushjen e obligimeve konform kontratës. “Privatizimi vetvetiu nuk do të thotë sukses më i mirë apo më i dobët karshi ndërmarrjeve shoqërore, por krijon një shans më të mirë për një menaxhim më të suksesshëm, dhe është treguar botërisht se ndërmarrësi, përkatësisht menaxhmenti privat është më i suksesshëm në reagim ndaj sfidave në ambiente biznesore”, ka thënë ai.
Sipas tij, “të gjitha analizat që janë bërë qoftë nga AER-i, apo nga vetë AKM-ja apo edhe institucionet të tjera, tregojnë se në përgjithësi të gjitha parametrat qoftë të investimeve, qoftë të eksportit janë në rritje, bile me numra dyshifrorë”. Megjithatë Shala i ka bishtnuar përgjigjes se a do t’i ktheni në Kosovë paratë e investuara jashtë vendit, ato të Trustit Pensional dhe privatizimit. “Fondi i Privatizimit është aktualisht kompetencë e rezervuar e UNMIK-ut, dhe se për zgjidhjen e kësaj çështjeje do të vendoset pas definimit të statusit të Kosovës, vendime këto që pa dyshim do të jene politike. Ndërkaq, paratë e Trustit Pensional janë përgjegjësi e vetë Trustit se si ai do t’i menaxhojë ato, përderisa i përmbahet rregullave të paracaktuara me ligj. Megjithatë, me krijimin e kushteve më të mira investuese në vend, Trusti do të mund të shqyrtonte edhe mundësitë e investimit të një pjese të fondit në Kosovë”.
Shala nuk mund të thotë sigurt se do të themelohen fondet e shumëkërkuara, siç është ai për Shëndetësinë, Bujqësinë e Transportin: “Qeveria së pari do të vendosë mbi prioritetet e saja sektoriale, e më pas një pjesë e madhe e shpenzimeve buxhetore do të orientohet drejt atyre prioriteteve, edhe pse jo patjetër të gjitha fushat me prioritet do të nënkuptojnë shpenzime shtesë”. I pyetur rreth emërimit të bordeve të ndërmarrjeve publike, Shala ka thënë se është bërë shumë punë hulumtuese për të gjetur profile të caktuara njerëzish jopolitikë. Ai ka shtuar se kjo çështje është në fazën përfundimtare. Se a do të jenë në këto borde edhe ministrat, sikurse paraardhësit e tyre, Shala ka vlerësuar se “nuk mund ta komentoj një gjë të tillë, por duket se do të jetë vendim i përbashkët i Qeverisë, në bashkëpunim me kryeministrin, i cili ka proklamuar se do të përpiqemi që t’i depolitizojmë komplet bordet e NP-ve, dhe ministrat të jenë në prezencë sa më të vogël nëpër bordet e këtyre ndërmarrjeve”. Rreth themelimit të tregut të bursës në Kosovë, Shala mendon që zhvillimi i sektorit financiar në Kosovë është shumë i nevojshëm, “ dhe se në përgjithësi është nga sektorët që ka shënuar arritjet më të mira”.
“Ne do të angazhohemi në krijimin e bazës së nevojshme ligjore për funksionim më të mirë të këtij sektori. Kjo do t’i hapte rrugë edhe krijimit eventual të bursës, edhe pse mendoj se një iniciativë e tillë do të duhej të vinte nga sektori privat”, ka vlerësuar kreu i MEFit. Shala jep fjalë se kjo qeveri do të trajtojë më mirë kategoritë e cenuara sociale.
“Trajtimi i çështjeve sociale do të jetë një fushë e rëndësishme e angazhimit të Qeverisë. Një trajtim më i mire i kategorive më të cenuara sociale, përmirësimin e gjendjes së rëndë në të cilën ndodhen pensionistët, invalidët e luftës si dhe familjet në asistencë sociale”, ka thënë Shala. Ministri i ri i Ekonomisë premton se do të angazhohet për rritje të qëndrueshme ekonomike e cila reflektohet edhe në uljen e papunësisë dhe varfërisë.
Marrë nga Koha Ditore