Prishtinë – Prodhuesit kosovarë të produkteve ushqimore, bimëve mjekuese, kultivimit të luleve, të shiritave transportues, industrisë së përpunimit të drurit, metaleve dhe gurëve dekorativë do ta kenë të hapur edhe tregun italian. Mundësinë për t’i shitur mallrat e tyre, Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë ua ka mundësuar 13 prodhuesve kosovarë që mallrat e tyre të shiten edhe jashtë Kosovës.
“Agjencia për Promovimin e Investimeve (APIK), që vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë të Republikës së Kosovës, ka përfunduar në mënyrë të suksesshme misionin shitës në Itali. Në këtë mision, i cili u mbajt në muajin e kaluar, APIK-u në bashkëpunim me Zyrën e Komisionit Evropian ua ka bërë të mundur 13 kompanive prodhuese kosovare, veprimtaria e të cilave është prodhimi i produkteve ushqimore, bimëve mjekuese, kultivimi i luleve, industria e shiritave transportues, industria e përpunimit të drurit, metaleve dhe gurëve dekorativë, që të krijojnë marrëdhënie kontraktuese me afaristë nga Italia”, kanë thënë zyrtarët e MTI-së. Sipas tyre, këto kontakte kanë përfshirë një gamë të gjerë kooperimi, duke filluar nga përshkrimi i bizneseve, mundësia e furnizimit direkt të mallrave, aranzhimi dhe distribuimi, bashkëpunimi dhe partneriteti në investime, mundësia e futjes së teknologjive të reja si në prodhim ashtu edhe në ambalazhim. “Gjatë këtij misioni drejtuesit e APIK-u jo vetëm që sollën në kontakte të drejtpërdrejta afaristët kosovarë me partnerët potencialë italianë, por edhe kanë arritur që të bëjnë një prezantim të shtetit të Kosovës gjatë takimeve të shumta që kanë realizuar në institucionet qeveritare italiane”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra për informim e MTI-së.
Kryeshefi i APIK-ut, Mustafë Hasani, ka vlerësuar se rezultatet e këtij misioni ishin mbresëlënëse, për faktin se afro 2 milionë euro eksport janë konfirmuar gjatë marrëveshjeve në mes palëve, ndërsa 3 milionë të tjerë janë në negociata. Gjithashtu janë identifikuar mundësi të tjera për bashkëpunim dhe investime të drejtpërdrejta nga ana e palës italiane. Kryeshefi Hasani ka shpjeguar se edhe benefitet e krijuara gjatë lidhjeve biznesore ndërkombëtare, duke theksuar se fakti kryesor i këtij misioni ishte vënia e kontakteve të kompanive kosovare me kompanitë italiane, ku pritet të thellohet bashkëpunimi reciprok dhe shkëmbimi tregtar në mes afaristëve.
Koha Ditore