Kosova dhe Shqipëria janë dakorduar që të liberalizojnë plotësisht tregtinë mes dy vendeve. Liberalizimi i tregut parashihet edhe me marrëveshjen CEFTA. Deri në vitin 2008 i tërë rajoni parashihet të bëhet pjesë e kësaj marrëveshjeje, ku lëvizja e mallrave do të bëhet pa kurrfarë ngarkesash doganore
Prishtinë, 13 korrik 2006 – Kosova dhe Shqipëria janë dakorduar për të liberalizuar tërësisht shkëmbimin tregtar mes dy vendeve. Pas një periudhe të gjatë negociatash mes palës kosovare dhe asaj shqiptare, është rënë dakort që të hiqen të gjitha tarifat doganore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Marrëveshja ndërmjet dy vendeve vjen në kuadër të tregtisë së lirë me vendet e rajonit e njohur si CEFTA, që ka për qëllim lëvizjen e lirë të mallrave në tërë rajonin.
“Po, marrëveshja e nënshkruar mes ministrit Bujar Dugolli dhe Genc Ruli ka të bëjë me liberalizimin e plotë të lëvizjes së mallrave ndërmjet dy vendeve dhe është në kuadër të CEFTA, që parasheh liberalizimin e plotë të tregut në regjion”, ka deklaruar për Express Sali Ibishi, këshilltar i lartë në MTI.
Kjo marrëveshje, sipas tij, është ndër marrëveshjet më të rëndësishme për liberalizimin e tregut rajonal dhe krijimin e një tregu më të favorshëm për tregtarët. Edhe ministri Ekonomisë dhe Tregtisë së Shqipërisë, Genc Ruli, e ka konsideruar marrëveshjen e nënshkruar me palën kosovare si më të suksesshme që Shqipëria ka me vendet e rajonit, pasi liberalizon në mënyrë të plotë tarifat doganore.
Ministri Ekonomisë dhe Tregtisë së Shqipërisë, Genc Ruli, dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Bujar Dugolli, kanë nënshkruar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë-MTL ndërmjet dy vendeve. Kjo marrëveshje është nënshkruar në fund të punimeve dy ditore të Komitetit të përbashkët ndërmjet delegacioneve të Republikës së Shqipërisë dhe të Misionit të Kombeve të Bashkuara për Administratën e Përkohshme të Kosovës (UNMIK).
“Kjo është marrëveshja me e avancuar bilaterale qe kemi me vendet e rajonit dhe e para që arrin të realizojë liberalizimin e plotë të tregtisë mes dy vendeve, me pritshmërinë që do të ketë impakti i saj në flukset tregtare mes dy vendeve”, ka deklaruar ministri Ruli për mediat shqiptare.
Edhe Sali Ibishi nga MTI ka vlerësuar se marrëveshja mes dy vendeve është në shërbim të rritjes së tregut dhe krijimit të mundësive për një bashkëpunim tregtar më të gjerë.
“Gjatë negociatave të dyja palët kanë rënë dakord për të thelluar liberalizimin e tregtisë ndërmjet tyre, si për produktet industriale ashtu dhe për produktet bujqësore. Pra, është dakorduar përfundimisht që të bëhet shkëmbimi tregtar mes dy vendeve pa kurrfarë ngarkesash doganore”, deklaroi Ibishi.
Bëhet e ditur se gjatë negociatave, pala shqiptare ra dakord të liberalizojë tarifat doganore për produktet industriale me 1 janar të vitit 2007, në përputhje me aneksin II, të marrëveshjes, kurse pala kosovare të liberalizojë tarifat doganore për produktet industriale, aneksi III i kësaj marrëveshjeje, menjëherë me hyrjen në fuqi të amendamentit përkatës, por gjithnjë pas datës 1 janar 2007.
Ndërsa sa i përket produkteve bujqësore pala kosovare, propozoi liberalizimin e plotë të të gjitha atyre produkteve dhe pala shqiptare e ka pranuar këtë propozim. Tarifat doganore mbi importet e produkteve industriale të aplikueshme në Kosovë mbi produktet industriale me origjinë nga Shqipëria, të specifikuara në aneksin III të MTL-së ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe UNMIK/Kosovë, do të eliminohen në datën e hyrjes në fuqi të këtij amendamenti, por jo para datës 1 janar 2007.
Gjithashtu gjatë diskutimeve zhvilluar mes dy vendeve është konstatuar se duhet të ekzistojë bashkëpunimi i nevojshëm, sidomos në shkëmbimin e informacioneve verifikuese të origjinës së produkteve. Sa i përket liberalizimit të tregut me vendet tjera, këshilltari i ministrit Dugolli ka sqaruar se Kosova aktualisht nuk është e interesuar ta bëjë një gjë të tillë me vendet tjera pos Bosnjës dhe Hercegovinës.
“Aktualisht ne nuk jemi të interesuar të liberalizojmë tërësisht tregun me vendet tjera. Megjithatë, kjo gjendje do të jetë e tillë deri në fillim të vitit 2008, kur parashihet të hyjë në fuqi zona e lirë e shkëmbimit tregtar ku përfshihet edhe Kosova”, ka deklaruar Ibishi.
Marrë nga Gazeta Express