Kuvendi miraton ligjin për auditimin e brendshëm
Prishtinë, 16.11.2006 – Deputetët e Kuvendit të Kosovës me shumicë votash miratuan sot ligjin për auditim të brendshëm, ndërsa në parim kanë miratuar projektligjin mbi noterinë. Në fillim të seancës deputeti Gjergj Dedaj ka kërkuar që të debatohet në Kuvend për vendimin për shtyrjen e statusit politik të Kosovës. “Konsideroj se Ekipi negociator duhet të shpallë të përfunduar mandatin e tij, për shkak se nuk ka përmbushur premtimin”, tha para deputetëve Dedaj. Ai kërkoi që të gjitha kompetencat për procesin e bisedimeve t’ i kalohen Kuvendit të Kosovës. Dedaj konsideron që ky ekip nuk ka besimin dhe legjitimitetin për të vazhduar mandatin. Seanca ka vazhduar me rendin e ditës me pyetje nga ana e deputetëve drejtuar kabinetit qeveritar. Gjatë seancës së sotme pritet të miratohen edhe një sërë projektligjesh.
Kohavision / ECIKS