Prishtinë, 1 mars 2006 – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, partia e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, propozoi sonte zyrtarisht komandantin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, gjeneralin Agim Çeku, kandidatin e vetëm për kryeministër të vendit. Ernest Luma, zëdhënësi i kësaj partie, partnere e koalicionit qeveritar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i tha Zërit të Amerikës, se kjo parti ka përshëndetur dorëheqjen e zotit Kosumi, duke e konsideruar akt të lartë moral ndërkohë që ka mbështetur anëtarët e kabinetit nga kjo parti dhe zyrtarë të tjerë të saj në qeveri.
Sipas marrëveshjes midis partnerëve të koalicionit qeveritar, LDK-AAK, posti i kryeministrit i takon Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Parlamenti i Kosovës do të duhet të votojë kryeministrin e ri dhe kabinetin e tij. Nënkryetari i Lidhjes Demokratike, Eqrem Kryeziu, konfirmoi sot se Kryesia e kësaj partie ka marrë një vendim të vështirë. Sipas zotit Kryeziu, marrja e një vendimi të tillë ka qenë pasojë e një debati të rëndë për të gjithë.
Po sipas zotit Kryeziu, LDK-ja ka kontaktuar me zotin Daci para mbledhjes së sotme, dhe po sipas tij, zoti Daci ka thënë se çdo vendim të partisë dhe të kryesisë, do ta respektojë. Kryenegociatori i bisedimeve për statusin, Marti Ahtisari, i cili filloi sot një vizitë tre-ditore në Prishtinë, tha se nuk pret zhvillime negative.
“Çdo shtëpi ka rregullat e veta. Nuk do të komentoj për këtë, varet nga qeveria dhe udhëheqësit politik sesi e organizojnë veten. Siç thashë, pres që do të vazhdojmë me një shpejtësi më të madhe këtë proces. Nuk pres të ketë ndonjë ndikim negativ në këtë proces që po e drejtojmë nga Vjena”, tha ai.
Kryeadministratori Jessen Petersen ftoi kryeministrin e ardhshëm që të përshpejtojë plotësimin e standardeve të vëna nga bashkësia ndërkombëtare ndërkohë që pohoi se ka marrë kërkesën e Lidhjes Demokratike për emërimin e Kolë Berishës, si kryetar të ri të parlamentit. Presidenti Fatmir Sejdiu, theksoi se do të bëjë konsultime me partnerët e koalicionit qeveritar lidhur me hapat e mëtejshëm.
Kryetari i Partisë Demokratike Hashim Thaçi, theksoi se puna bazohet në institucione dhe jo në individë. Kryetari i partisë Ora, Veton Surroi, tha se këto ndryshime duhet të kishin ndodhur më herët.
Parlamenti i Kosovës do të duhet të votojë për një qeveri të re dhe një kryetar të ri të parlamentit, por në raste të tilla, negociatat dhe vendimet paraprake merren në fakt, më parë, në takime dy-palëshe ose disa palëshe, brenda partive përkatëse dhe midis partnerëve të koalicionit qeveritar, Lidhjes Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
ECIKS / VoA (Linda Karadaku Ndou)