Prishtinë, 7 maj 2007 – Autostrada Vërmicë- Merdare, do të kushtojë 650 milionë euro, ka njoftuar sot kompania që ka bërë projektin e kompletuar të kësaj rruge, “Proing”.
“Proing”, solemnisht, ia ka dorëzuar projektin e detajuar, ministrit të Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, Qemajl Ahmeti. Nga ana e tij, ministri Ahmeti ka thënë se, tash puna për realizmin praktik të autostradës, i mbetet kësaj ministrie dhe vetë Qeverisë së Kosovës.
Ministri Ahmeti ka bërë të ditur se autostrada, në vijën e saj të shtrirjes, do të prek 64 për qind të pronës private dhe 35 të asaj publike. “Jemi shumë optimistë se, nëse nuk kemi probleme të mëdha gjatë shpronësimit, trasetë do të fillojnë këtë vit, por krejt do të varet si do të gjendemi me mjetet financiare”, ka thënë tha Ahmeti.
Ende nuk është përcaktuar çmimi i shpronësimeve të tokave private nga do të kalojë traseja e rrugës, por ministri Ahtmeti ka premtuar se shpronësimet do të bëhen konform ligjit, përkundër spekulimeve se që tani ka nisur tregu i përfitimeve nga tokat ku do të kalojë autostrada e re. “Kushdo që do të blejë tokë, është punë e tij se çka paramendon por shpronësimi do të bëhet konform ligjit për shpronësim”. Megjithatë, ligji për shpronësim ende nuk është miratuar nga Kuvendi i Kosovës edhe pse, tash e sa muaj, gjendet në procedurë dhe se leximi i parë ka kaluar në Kuvend, vitin e kaluar.
ECIKS / Telegrafi