Dy ministra të Qeverisë së Kosovës, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zhakru si dhe Ministri i Ekonomisë dhe Financave Ahmet Shala, nënshkruan një marrëveshje për mbrojtjen e investimeve me Sekretarin e Shtetit të Austrisë, Reinhold Lopatka.
Me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje, ministri Zharku tha se kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme, si për investitorët austriakë të cilët tashmë kanë investuar në Kosovë, ashtu edhe për tërheqjen e investitorëve të rinj nga Austria.
“87 kompani austriake veprojnë aktualisht në Kosovë dhe numri i tyre është në rritje e sipër. Shpresojmë se marrëveshja për mbrojtjen e investimeve do të nxitë edhe më shumë ardhjen e investitorëve austriakë dhe të vendeve tjera”, tha Zharku.
Sekretari i Shtetit të Austrisë, Reinhold Lopatka tha se Kosova dhe Austria do të vazhdojnë te intensifikojnë bashkëpunimin në të ardhmen dhe paralajmëroi investime në shumë sektorë, veçmas në sektorin bankar dhe kompanive të sigurimeve.
Sekretari Lopatka tha se ka udhëtuar nëpër Kosovë dhe ka parë disa kompani austriake që veprojnë këtu, dhe për këtë tha se është shumë i kënaqur.
“Jam i kënaqur që tashmë kemi një marrëveshje që i mbron investimet tona, këtu edhe ligjërisht, dhe se është edhe një sinjal për investitorët e tjerë austriakë, që të vijnë të investojnë në Kosovë. Qeveria e Austrisë dëshiron të bëjë më të mirën për Kosovën”, theksoi Lopatka.
Ministri kosovar i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala ka thënë se marrëveshja e arritur tregon përkushtimin e shtetit austriak dhe shtetit të Kosovës për progres, ndërsa e ka cilësuar marrëveshjen si një standard të Unionit Evropian.
Sekretari Lopatka është takuar në Prishtinë edhe me zëvendëskryeministrin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi.
Kjo është marrëveshja e parë që Kosova nënshkruan me një vend të BE-së për mbrojtjen e investimeve. Një marrëveshje e tillë është nëshkruaite më parë edhe me Qeverinë e SHBA-së.
Kjo është marrëveshja e parë që Kosova nënshkruan me një vend të BE-së për mbrojtjen e investimeve. Një marrëveshje e tillë është nënshkruar vite më parë me Qeverinë e SHBA-së.
ECIKS