Korridori 8 – AMBO, zbarkojnë amerikanët në Tiranë

TIRANË, 20 GUSHT 2003 – Naftësjellësi transballkanik dhe ndërtimi i termocentralit të ri në qytetin e Vlorës ka sjellë në Shqipëri presidentin e kompanisë amerikane AMBO, Ted Ferguson, dhe investitorë të huaj. Investimet amerikane kanë për qëllim transportimin e naftës nga Kazakistani, Azerbajxhani dhe Rusia në portin e Vlorës dhe më pas drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të ndryshme të Evropës. Presidenti i kompanisë AMBO dhe investitorët e huaj dje janë takuar me ministrin e Financave, Kastriot Islami dhe me përfaqësues të Ministrisë së Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, ndërsa sot pritet që të takohen me ministrin e Industrisë dhe Energjitikës, Viktor Doda dhe me zv/kryeministren dhe ministren e Shtetit, Ermelinda Meksin.

“Qeveria shqiptare është në fazën e përfundimtare të bisedimeve për projektin AMBO” -është shprehur ministri i Financave, Kastriot Islami. Shqipëria pritet që të përfitojë rreth 45 milionë dollarë nga tranzitimi i naftësjellësit AMBO, i cili do të fillojë nga Bullgaria, do të kalojë në Maqedoni dhe do të përfundojë në portin e Vlorës. Gjurma ku do të kalojnë tubacionet e naftësjellësit AMBO tashmë është përcaktuar. Bullgaria dhe Maqedonia ka miratuar në qeveri rrugën e naftësjellësit AMBO, mbrapa ka ngelur vetëm Shqipëria e cila ka evidentuar gjurmën e naftësjellësit, por ai nuk është miratuar akoma.

Naftësjellësi do të hyjë në vendin tonë në Qafë -Thanë, më pas do të drejtohet drejt Përrenjasit dhe do të shtrihet përgjatë rrugës automobilistike deri në Librazhd, tubacionet më pas do të instalohen në krah të lumit Shkumbin deri në Elbasan, më tej në Cërrik, Fiershegan të Lushnjes, do të kthehen në drejtim të ish Azotikut të Fierit dhe më pas do të përfundojnë në Portin e Vlorës. Kjo është rruga që do të ndjekë naftësjellësi Burgas-Vlorë në vendin tonë, sqaron kryetari i Agjencisë Kombëtare të Energjisë, Besim Islami. Sipas tij, Këshilli i Rregullimit të Territorit i prefekturave ku kalon naftësjellësi transballkanik duhet të miratojë lejen e ndërtimit, e cila më pas duhet të paraqitet në Këshillin Kombëtar të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë (KKRRTRSH).

Agjencia Kombëtare e Energjisë është duke përgatitur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, i cili do t’u dorëzohet qarqeve ku kalon naftësjellësi. Prefekturat e Pogradecit, Korçës, Fierit, Vlorës dhe Elbasanit janë ato që do të shqyrtojnë së shpejti lejen e ndërtimit të naftësjellësit, i cili do të kalojë më pas për miratim nga kryeministri Nano. Tubacionet e naftësjellësit AMBO do të transportojnë naftën bruto nga deti Kaspik dhe Deti i Zi, e cila do të ketë destinacion portin e Vlorës dhe më pas anijet do ta shpërndajnë atë në vende të ndryshme të botës.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, “The Overseas Private Investiment Corporations of U.S” (OPIK), “Ex/Im Bank” me qendër në Uashington dhe EBRD-ja janë bankat që kanë shprehur interes për të financuar ndërtimin e naftësjellësit Burgas-Vlorë. “OPIC ka dërguar një letër mirëkuptimi dhe bankat e tjera kanë dhënë garanci për interesimin e tyre” sqarojnë specialistët e Agjencisë Kombëtare të Energjisë. Sipas tyre, AMBO ka identifikuar burimet financiare që kërkon të marrë si hua nga bankat, shumë kjo që arrin në 900 milionë dollarë. Por jo vetëm bankat kërkojnë që të financojnë këtë vepër, por edhe institucione të tjera dhe kompani private. Ndërkohë që sipas Ministrisë së Financave bëhet e ditur se 25 për qind e projektit do të financohet nga kompani aksionere, ku deri tani kanë shprehur interesin për dhënien e 150 milionë dollarëve. Ndërsa, pjesa tjetër, rreth 75 për qind ose 932 milionë dollarë do të financohen nga institucionet ndërkombëtare dhe bankat tregtare, financim që deri më sot është realizuar plotësisht.

Naftësjellësi AMBO mbetet një projekt në letër për sa kohë që të gjitha shtetet nuk kanë aprovuar gjurmën ku ai do të kalojë, dhe për sa kohë memorandumi nuk është miratuar përfundimisht. “Pasi të aprovohet gjurma nga të tre vendet dhe memorandumi, AMBO do t’u paraqesë bankave këto dokumentacione si garanci për të marrë financime”, pohon për gazetën Besim Islami. Ai sqaron se deri në fund të këtij viti Shqipëria do të miratojë në Këshillat zonalë të Rregullimit të Territorit, si dhe në Këshillin Kombëtar të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë ndërtimin e tubacioneve naftësjellëse që do të kalojnë në vendin tonë.

Brenda gjysmës së dytë të vitit 2006, nëse gjithçka do të shkojë mirë, do të përfundojë naftësjellësi AMBO. Naftësjellësi AMBO do të kalojë nga Bullgaria, në Maqedoni dhe më pas do të përfundojë në Shqipëri, duke u bërë pjesë e infrastrukturës së Korridorit të Tetë Europian, lindje-perëndim, ku janë të përfshira autostrada, hekurudha, naftësjellës dhe telekomunikacionet.

Ministria e Energjitikës pohon se naftësjellësi Burgas-Vlorë përveç përfitimit ekonomik, do t’i shërbejë edhe TEC-it të ri në Vlorë. Sepse depozitat e naftës dhe gazit do të vendosen pikërisht në portin e Vlorës, ku mjaft afër gjendet edhe sheshi i ndërtimit i kompanisë AMBO.

Përfitimi

Amerikanët marrin naftën, Shqipëria 45 milionë $ në vit nga tranzitimi. Vendi ynë pritet të përfitojë rreth 40-45 milionë dollarë në vit nga tranzitimi i naftësjellësit Burgas-Vlorë. Por, jo vetëm kaq, sepse vendi ynë do të përfitojë edhe më shumë. Së pari, nafta e papërpunuar që do të vijë nga vendet e Kaspikut do të mbërrijë në vend me një kosto shumë më të ulët, gjë që do të ndikojë ndjeshëm në ekonominë shqiptare. Së dyti, Shqipëria do të shpërblehet me koston përkatëse që i takon nga lejimi i kalimit të naftësjellësit në territorin e saj, si dhe do të rritet mundësia për më shumë vende pune, sidomos në portin e Vlorës. Por këto avantazhe nuk janë asgjë në krahasim me impaktin që do të ketë realizimi i këtij projekti të ideuar dhe të mbështetur nga amerikanët. Se sa e rëndësishme është për Shtetet e Bashkuara të Amerikës kjo nismë që i lejon jo vetëm ulje të konsiderueshme të deficitit buxhetor, por edhe kontroll të tregut botëror të naftës së papërpunuar, e tregon interesi që po tregojnë. Por, burime pranë Ministrisë së Industrisë dhe Energjitikës pohojnë se naftësjellësi do të jetë edhe në funksion të ndërtimit të TEC-it të ri në Vlorë. Sepse depozitat e naftës dhe gazit do të vendosen pikërisht tek porti i Vlorës, ku mjaft afër gjendet edhe sheshi për kompaninë AMBO.

Naftësjellësi

Nafta që do të përshkojë tubacionet e kompanisë AMBO do të sigurohet nga Rusia, Azerbajxhani, Kazakistani, Turkmenistani, duke patur si destinacion përfundimtar tregjet e Europës dhe veçanërisht të Amerikës Veriore. Naftësjellësi transballkanik ka një gjatësi prej 913 kilometra dhe një kapacitet transportues prej 750 mijë fuqi në ditë. Ai niset nga Buragsi, breg ky në Detin e Zi të Bullgarisë dhe do të përfundojë në portin e Vlorës në Shqipëri. Që ky projekt të realizohet ka nevojë për 1.2 miliardë dollarë, fond të cilin AMBO është në rrugë e sipër për ta siguruar. Kompania AMBO ka rënë pothuajse dakord me institucionet financiare për të siguruar rreth 900 milionë dollarë, sepse pjesën tjetër është në gjendje ta sigurojë me fondet e kompanisë. Naftësjellësi AMBO do të kalojë nga Bullgaria, në Maqedoni dhe më pas do të përfundojë në Shqipëri, duke u bërë pjesë e infrastrukturës së Korridorit të Tetë Europian, lindje-perëndim, ku janë të përfshira autostrada, hekurudha, naftësjellës dhe telekomunikacionet.

Projekti

-Si vend tranzit do të sigurojë të ardhura nga tarifat e tranzitimit

-Krijohen garanci për investitorët e huaj për të investuar në Shqipëri në sektorin e naftës

-Krijon mundësinë e eksportit të naftës bruto nëpërmjet detit në vendet e tjera

-Do të jetë një mundësi shumë e mirë për të ndërtuar centrale të reja elektrike me mazut, që kushton më lirë

-Plotësimi i nevojave të transportit me naftë vendi, që do të ndihmohet nga rehabilitimi i rafinerisë së Ballshit

Kërkesat

-Shqipëria duhet që të aprovojë gjurmën e naftësjellësit AMBO në territorin shqiptar, sheshet e depozitave dhe bovave detare për ngarkim shkarkimin e anijeve në Vlorë

-Duhet të miratohet “Marrëveshja Trepalëshe” për projektin AMBO, që do të lidhet ndërmjet Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë

-Vendi ynë duhet të mbështesë projektin e naftësjellësit në takimet dhe institucionet ndërkombëtare

ECIKS / Shekulli