Prishtinë, 21 dhjetor 2004 – Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), gjendet në situatë të vështirë financiare dhe para një shkatërrimit teknik, si rezultat i mospagesës së borxheve nga ana e konsumatorëve. Borxhe që kapin shifrën prej 200 milionë eurosh.
Drejtuesit e KEK-ut kanë kërkuar para nga buxheti i shtetit për të mbuluar humbjet, përndryshe korporata mund të falimentojë. Për këtë gjendje alarmante në KEK, u njoftua gjatë një konference për media të organizuar nga KEK-u dhe Agjencia Europiane për Rindërtim (AER), si donatori më i madh i korporatës. Drejtuesit e KEK-ut thanë se nëse vazhdon një situatë e tillë do të vihet në pikëpyetje furnizimi i mëtejshëm i qytetarëve me energji elektrike.
Jon Ashley, menaxheri i ESBI-së (që ka kontratë dyvjeçare për menaxhimin e korporatës), tha se kjo gjendje financiare pamundëson meremetimet, madje edhe ato më të voglat, në stabilimente prodhuese dhe në rrjetin elektrik.
“Në Kosovë KEK-u e zbrazë buxhetin dhe pikërisht këto para që sigurohen nga Buxheti, aktualisht e mbajnë KEK-un dhe kjo bëhet sepse nuk mund të lejohet që KEK-u të dështojë, sepse në këtë rast e tërë ekonomia e Kosovës do të shkonte drejt dështimit”, tha Ashley.
Tani e tutje, KEK-u nuk do ta riparojë asnjë prishje teknike në ato rajone në të cilat nuk bëhët pagesa e rregullt e energjisë elektrike. KEK-u ka hartuar një politikë të re menaxhuese që do të fokusohet në dy fusha: mosriparimin e dëmeve në ato zona ku inkasimi është i ulët, dhe mundësinë që në ato zona ku ka më shumë parapagues të rregullt të bëjë reduktime me te vogla me orar 5 me 1 në favor të dritës.
ECIKS / Biznesi