Investimet e Huaja Direkte orientohen kryesisht në patundshmëri dhe në sektorin e ndërtimtarisë. Kështu thotë raporti i vitit 2011 i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ku bëhet e ditur se 32.8 % e investimeve të huaja janë të orientuara në këtë sektor, 16 % në patundshmëri, 12.6 % në prodhimtari, 11.7 % në sektorin financiar, përcjellë nga sektori i transportit dhe telekomunikacionit me një pjesëmarrje prej 5.9 %. Sipas këtij raporti, rritja më e lartë vërehet në sektorin e ndërtimtarisë, si dhe sektorin e transportit dhe telekomunikacionit.
Vendet e BE-së vazhdojnë të paraqesin burimin kryesor të IHD-ve në Kosovë. Raporti paraqet Britaninë e Madhe si vendin prej nga kanë ardhur më së shumti IHD në Kosovë, 29.6 %. Rritje të theksuar të IHD-ve ka pasur edhe nga Turqia, që gjatë kësaj periudhe paraqet vendin e tretë për nga shuma e IHD-ve. Përveç këtyre, Zvicra, Austria, Sllovenia dhe SHBA-ja, vazhdojnë të jenë vende me nivel të konsiderueshëm të IHD-ve në Kosovë.
/Telegrafi/