INSTAT: Duhen rreth 700 mijë vende të reja pune

Tiranë, 20 maj 2004 – Të pasur tej mase, të varfër dhe një hendek shumë i madh në mes. Ky është vlerësimi më i fundit nxjerrë nga INSTAT gjatë një konference mbi përdorimin e të dhënave statistikore për zhvillimin. Plot 80% e popullsisë së vendit tonë është e varfër, ndërsa 20% është tepër e pasur. Sipas llogaritjeve për të zvogëluar hendekun duhen hapur rreth 700 mijë vende të reja pune. Të dhënat e vitit 2002 dëshmuan se një e katërta e popullsisë së Shqipërisë jetonte nën nivelin e varfërisë. Sipas drejtoreshës së këtij instituti, Milva Ikonomi, të dhënat e vitit 2002, dëshmuan se një e katërta e popullsisë jetonte nën nivelin e varfërisë. Të pasurit harxhojnë 6 herë më shumë se të varfrit, ndërkohë që për të zvogëluar hendekun mes tyre duhet të hapen pafundësisht vende pune. “Shqipëria duhet të prodhojë punë për gjeneratën me rreth 300,000 vende pune dhe po qe se do të modernizojë jetën e saj duhet të tërheqë nga bujqësia afërsisht 250,000 punëtorë”,- tha Ikonomi gjatë konferencës për shtyp. Sipas saj, bonusi demografik i krijuar në vend dhe ardhja e një sasie të popullsisë ekonomikisht aktive nga një brez në tjetrin, në vend që të inkurajojnë ekonominë shqiptare drejt modernizimit, rrezikon të shtojë më shumë problemet në tregun e punës. Këto ndryshime, sipas Ikonomit, nuk mund t’i lihen vetëm rregullave të ekonomisë së lirë të tregut, por nevojiten ndërhyrje të studiuara si nga qeveria, ashtu edhe nga investitorët e huaj. Sipas statistikave, në vendin tonë sundojnë bizneset e vogla, të cilat zënë 95% të numrit total të ndërmarrjeve jobujqësore. “Të punësuarit në këto ndërmarrje zënë rreth 44%, ku punët e rastit, sezonalet dhe të përkohshmet zënë me punë reth 35% të numrit të të punësuarve”,- ka sqaruar ajo.

Tregu i punës, i përkeqësuar
Tregu i punës karakterizohet nga një kapital njerëzor i pashfrytëzuar dhe i përkeqësuar. Këtë e mbështet fakti se plot 200 mijë persona, sipas INSTAT gjenden jashtë tregut të punës. Popullsia shqiptare mbi 14 vjeç, sipas të dhënave nga INSTAT, në një të tretën e saj ka një diplomë të shkollës së mesme apo të lartë. “Kjo kuotë paraqitet e lartë për personat e brezit të ri, për të dyja gjinitë”,- ka thënë Ikonomi. Sipas saj, brezat që kanë lindur në vitet ‘70 dhe më pas rrezikojnë të kenë një nivel të ulët arsimor të fuqisë punëtore. Një nga rrugët e zgjidhjes është ndërhyrja për aftësimin e tyre në degë të rëndësishme të ekonomisë, si në industri e shërbime të ndryshme.

Papunësia
Popullsia e Shqipërisë, duke qenë se ka strukturë moshore të re, pritet që pjesa më e madhe e saj të jetë ekonomikisht aktive. Në vitin 2001 rezulton 63.2% e popullsië së vendit në moshë pune (15-64 vjeç). Kjo kategori, sipas INSTAT, e llogaritur në përputhje me përcaktimet e bëra në regjistrimin e vitit 1989 paraqitet pak a shumë me të njëjtin përpjestim. Kjo pasi, sipas Ikonomit, numri i madh i personave që emigroi jashtë në 12 vitet e fundit u kompensua me hyrjen e kontigjenteve të të rinjve në tregun e punës. Shkalla e papunësisë, në 2001 ishte 22.7% e krahëve të punës gjithsej, duke e renditur Shqipërinë si një nga vendet me treguesin më të lartë të papunësisë në Evropë. Gjithashtu vihet re një tërheqje e femrave nga tregu i punës. Sipas statistikave, punësimi bruto i femrave arrin 30-40%, ndërkohë që punësimi i tyre në qytet llogaritet edhe më pak.

Verilindja, ekstremisht e varfër
Të dhënat më të fundit nga Instituti i Statistikave dëshmojë se varfëria në fillim të shekullit të 21-të ka një fytyrë të re. Ajo është më e përhapur në zonat fshatare, në familjet me një numër të madh fëmijësh dhe më e theksuar ndër të papunët dhe më pak të arsimuarit. Zonat fshatare dhe veri -verilindja mbeten zonat më të varfra të vendit. “Në fillim të viteve 2000 ne evidentojmë një pabarazi të madhe në drejtim të shëndetit dhe përdorimit të shëndetësisë në vend, shkallës së edukimit dhe mundësive për t’u edukuar si dhe strehimit dhe mundësive për të përballuar shërbimet bazike për çdo familje”,- tha Ikonomi, duke shtuar se kjo situatë i dedikohet pabarazisë sociale të vendit, që sjell pabarazi në shërbimet publike të popullatës.

Konferenca
Instituti i Statistikës (INSTAT), me mbështetjen e agjencisë zvicerane për kooperim dhe zhvillim dhe të zyrës italiane për zhvillim dhe bashkëpunim, kanë nisur dje konferencën 2-ditore, “Si të përdorim të dhënat statistikore për monitorimin e SKZHES dhe OMZH”. Në këtë konferencë merrnin pjesë zv/kryeministri Namik Dokle, ministri i Industrisë dhe Energjitikës, Viktor Doda, përfaqësues nga institucionet ndërkombëtare financiare, BB, IOM, PNUD, Komisioni Europian, institutet e statistikave të Italisë, Zvicrës, nga vendet e Ballkanit, etj. Zv/kryeministri Namik Dokle, në fjalën e tij, vlerësoi punën e bërë nga INSTAT në ndihmë të zhvillimit të statistikave me vlerë për politikat qeverisëse. Ndërsa, Milva Ikonomi, drejtore e INSTAT-it, u shpreh se statistikat përbëjnë një element shumë të rëndësishëm për ndërtimin e politikave ekonomike dhe sociale, në ndihmë të zhvillimit në çdo zonë të vendit.

ECIKS / Biznesi