PRISHTINË – 06 qershor 2007 – Përfaqësues të Odes Ekonomike të Kosovës (OEK) dhe të bizneseve të ndryshme, theksuan të martën në Prishtinë se Qeveria e Kosovës duhet t’i ndryshojë politikat fiskale, nëse dëshiron që tregu kosovar të jetë konkurrues me tregjet e vendeve të rajonit.
Këtë vlerësim përfaqësues të OEK-ut dhe të bizneseve e bënë gjatë ceremonisë se hapjes së panairit të përgjithshëm ndërkombëtar “Prishtina 2007”, në të cilin ishte i pranishëm edhe kryeministri, Agim Çeku. Çeku tha se organizimi i panaireve të tilla tregon se Kosova, përkatësisht Prishtina, tashmë është bërë qendër e bizneseve, si atyre vendore ashtu edhe të huaja. Ai tha se ekonomia e Kosovës aktualisht po ballafaqohet me shumë probleme dhe se economia kosovare po ballafaqohet me transicionin nga ekonomia e bombarduar në ekonominë e tregut.
Mirëpo, sipas kryeministrit Çeku, organizimi i panaireve të tilla dhe parametrat e tjerë ekonomikë të vendit po tregojnë se ekonomia e Kosovës po shkon në drejtim të duhur. Sa i përket kërkesës për ndryshimin e politikave fiskale, kreu i Qeverisë tha se politikat aktuale fiskale janë ndër me konkurrentet në rajon.
Kryetari i OEK-ut, Besim Beqaj, tha se Oda Ekonomike është duke ndërtuar një bashkëpunim të thellë me të gjitha institucionet vendere dhe ndërkombëtare në mënyrë që, siç tha ai, për të ndihmuar zhvillimin ekonomik, e posaçërisht zhvillimin e bizneseve në vend. Ai tha se interesimi i madh i ndërmarrjeve për pjesëmarrje në panair, qoftë nga Kosova apo nga vendet e tjera, janë tregues të mirëfilltë se ky panair është një ngjarje e shënuar për ekonominë kosovare.
Beqaj edhe njëherë kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të bëjë diçka në ndryshimin e politikave fiskale, në mënyrë që, siç tha ai, tregu kosovar të jetë treg konkurrues me tregjet e vendeve të rajonit.
“Biznesi nuk kërkon mëshirë, biznesi kërkon ambient të mirë, qasje të drejtë dhe mbështetje institucionale”, tha Beqaj.
Panairin e përgjithshëm ndërkombëtar “Prishtina 2007”, i cili është organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), do të jetë i hapur deri të premten.