Greenspan: Dollari mund të zhvlerësohet përsëri

Washington, 20 nëntor 2004 – Kreu i Rezervës Federale të Shteteve të Bashkuara, Alan Greenspan, thotë se deficiti tregtar amerikan me pjesën tjetër të botës nuk mund të mbahet për kohë të papërcaktuar.

Zoti Greenspan nuk mund të thoshte se kur do të ndodhte një rregullim në ekonominë amerikane, por korrespondenti ekonomik i BBC-së thotë se lihet të kuptohet se ai mund të shkaktojë probleme.

Zoti Greenspan sugjeroi se investuesit e huaj në fund mund të bëhen më pak të gatshëm për të financuar deficitin e tanishëm të llogarive, apo të kërkojnë përqindje më të larta interesi amerikane, duke bërë më pak të mundur ruajtjen e deficitit.

Duke folur një ditë pasi dollari ra në nivelin e tij më të ulët kundrejt euros, ai sugjeroi se një zhvlerësim tjetër i dollarit mund të jetë i domosdoshëm për të ulur deficitin e tanishëm të llogarive të qeverisë amerikane.

Kina ka thënë se Shtetet e Bashkuara duhet ta ndalojnë rënien e dollarit me qëllim që të vendoset ekuilibri në tregjet botërore të parave.

ECIKS / BBC