Fondi Slloveno-Kosovar i Pensioneve investon në letra me vlerë

Fondi Slloveno-Kosovar i Pensioneve ka vendosur të investojë në letra me vlerë të Republikës së Kosovës. Ai në ankandin e këtij muaji është njëri ndër blerësit e bonove tremujore të emetuara nga Republika e Kosovës.

Në një komunikatë për media, ky fond premton se do të vazhdojë me blerjen e tyre edhe në të ardhmen duke dhënë kështu kontributin e vet në zhvillimin dhe zgjerimin e tregut të kapitalit.

“Duke pasur parasysh që fondet pensionale në vendet e zhvilluara janë investitori kryesorë në tregjet e kapitalit, Fondi Slloveno-Kosovar i Pensioneve do të vazhdojë të luaj rolin e tij në zhvillimin e mëtejmë të këtij tregu, duke rritur kështu vazhdimisht investimet në letrat me vlerë të emetuar nga Republika e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Fondi Slloveno-Kosovar i Pensioneve operon në Kosovë që nga viti 2006 prej kur edhe u licencua nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës për të operuar në shtyllën e tretë të sistemit pensional në Kosovë.

Sipas komunikatës synimi i këtij Fondi është të jetë një faktor i rëndësishëm në sistemin financiar, në tregun pensional si dhe për zhvillimin e mëtutjeshëm të tregut të kapitalit në Kosovë.

/Koha/