Firma Ushtrimore përgatit të rinjtë për tregun e punës

Më qëllim të përgatitjes së të rinjve të Kosovës për tregun e punës, Ministria Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë në bashkëpunim me “Kultur-Kontakt Austria” dhe “Swisscontact” ka hapur të premten, në Prishtinë, Panairin e Firmave Ushtrimore. Në këtë panair, të pestin me radhë, kanë ekspozuar produktet e tyre 80 firma ushtrimore.

Në ceremoninë e hapjes së panairit, në emër të MASHT-it u tha se qëllimi i Firmave Ushtrimore është që nxënësit të përgatiten për tregun e punës, duke filluar nga idea për zhvillimin e një biznesi. Ky është një projekt i mbështetur nga Austria, e cila e ka gatishmërinë që edhe më tutje të jenë partner në këtë projekt. Nga viti 2005 është investuar rreth 1 milion euro në këtë projekt. Në kuadër të tij janë trajnuar 12 drejtorë dhe afro 100 mësimdhënës, kurse mbi 10 mijë nxënësve u është krijuar mundësia që ta kenë kënaqësinë që të marrin një aftësim profesional.

Firma Ushtrimore është formë e re mësimore, në kuadër të së cilës përkrahet dhe nxitet mësimi praktik, i cili stimulon biznesin real dhe mendimin ndërmarrësor. Në Firmën Ushtrimore ushtrohen procedurat reale të punës së ndërmarrjeve, si dhe u mësohen nxënësve kualifikimet e nevojshme për tregun modern të punës.

Firmat Ushtrimore deri më tani janë implementuar në 15 shkolla të mesme ekonomike të Kosovës dhe në 5 shkolla bujqësore. Në këtë panair po marrin pjesë edhe Firma Ushtrimore nga Shqipëria.

ECIKS / KOHA