Finalizohet Marrëveshja Financiare ndërmjet Kosovës dhe Austrisë

Është finalizuar Marrëveshja për bashkëpunim financiar në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë. Në emër të Qeverisë së Kosovës Marrëveshja është nënshkruar nga Ministri i Financave Bedri Hamza dhe në emër të Qeverisë austriake nga Ministrja e Financave, Maria Fekter.

Marrëveshja ka për qëllim që të promovojë edhe më tutje raportet dhe marrëdhëniet e afërta dhe miqësore në mes dy vendeve në përgjithësi e me theks të veçantë në zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit financiar.

Ministria e Financave e Austrisë është e gatshme që në kuadër të kësaj Marrëveshjeje të mbështesë zhvillimin dhe financimin e projekteve infrastrukturore në kuadër të programit të huave të buta të Qeverisë Austriake të ri-financuara nga Banka Austriake (OeKB), kredi këto me kushte shumë të volitshme financiare. Vlera indikative e kornizës financiare është 20 milionë euro, dhe fillimisht është e paraparë për një periudhë dy vjeçare.

/Telegrafi/