Prishtinë, 10 shkurt 2006 – Kuvendi i Kosovës, me 80 vota për, 12 kundër dhe 17 vota të pavlefshme, zgjodhi të premten, Fatmir Sejdiun, kryetar të ri të Kosovës, i cili garantoi përkushtimin për të përfaqësuar unitetin e popullit dhe për të garantuar funksionimin demokratike të institucioneve, duke shtuar se angazhim i tij kryesor do të jetë udhëheqja e Ekipit Negociator për zgjidhjen e statusit të Kosovës, bazuar në vullnetin e popullit për shtet të pavarur.
Zgjedhja e tij u bë në rrethin e tretë të votimit në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, pasi në dy rrethet e para ai nuk arriti të marrë votat e dy të tretave të deputetëve.
Por, në rrethin e tretë të votimit, edhe pse i duheshin vetëm 61 vota, ai mori 80 vota për, saktësisht aq sa i duheshin në dy rrethet e para.
Duke iu drejtuar seancës solemne, kryetari i sapozgjedhur i Kosovës, Fatmir Sejdiu, u zotua për përmbushjen e obligimeve kushtetuese, duke theksuar se “do ta vazhdojë trashëgiminë e pasur shtetërore e institucionale që ia la paraardhësi i tij në këtë post, ish-kryetari Ibrahim Rugova.
Kryetari i ri i Kosovës u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, veçanërisht serbëve, të bashkëpunojnë për ndërtimin e një Kosove demokratike, prosperuese, e cila, e bazuar në parimet demokratike, do të vend një vend për të gjithë.
ECIKS / KosovaLive