Prishtinë, 17 maj 2004 – Ekonomia e Kosovës si dhe hapat që duhen ndërmarrë për ta çuar përpara atë ishin gjatë ditëve të fundit në qendër të bisedimeve mes liderëve të Kosovës dhe përfaqësuesve të Bashkimit Europian.
Raundi i katërt i bisedimeve mes Prishtinës e Brukselit në kuadër të hartimit të Mekanizmit Përcjellës të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit u konsiderua “i suksesshëm” nga të dy palët, të cilat dënuan sërish dhunën gjatë trazirave të muajit mars në vend.
Pas trazirave, që cënuan sigurinë e brishtë të Kosovës dhe shkaktuan reagimin e ashpër të ndërkombëtarëve, ky ishte takimi i parë që uli në një tryezë pune Kryeministrin e Kosovës, Bajram Rexhepi dhe kryesuesin e delegacionit të Komisionit Europian, Reinhard Priebe si dhe zyrtarët e administratës ndërkombëtare në Kosovë (UNMIK).
Kryeministri kosovar vlerësoi trajtimin e çështjeve nga zyrtarët e Bashkimit Europian në mënyrë mjaft konstruktive si dhe u bëri të ditur atyre vullnetin e qeverisë së Kosovës për të realizuar projektet e për të përmbushur premtimin për plotësimin e standarteve.
“Kosova duhet të inkuadrohet në proçeset dhe paktet e lidhura për lehtësimin e zhvillimit ekonomik, përfshi marrëveshjet dypalëshe dhe shumëpalëshe për energjetikën dhe tregtinë e lirë”, theksoi Rexhepi.
ECIKS / Biznesi