Përderisa përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, si Peter Feith, kanë kërkuar një punë më të madhe dhe më me përgjegjësi nga institucionet e Kosovës, përfaqësuesit e këtyre institucioneve dhe shoqërisë civile, si Ahmet Shala e Verena Knaus (ESI), kanë kërkuar politikë më të qartë dhe të njëzëshme të BE-së karshi Kosovës si dhe përfshirjen e Kosovës në të gjitha proceset e integrimit në BE, përfshirë edhe procesin e liberalizimit të vizave. Të gjithë janë pajtuar që ekonomia është çështje kyçe për të ardhmen e Kosovës.
Vjenë, AUSTRI – Përfaqësues të lartë të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, udhëheqës të Institucioneve të Kosovës si dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë diskutuar për Kosovën në një konferencë në Vjenë. Diskutimet në konferencën me temë “Kosova e pavarur dhe BE – Perspektivat Politike dhe Ekonomike” janë përqëndruar në problemet e Kosovës në rrugën e saj drejtë intergimit në BE, marrëdhënieve të saj me fqinjët, forcimit të Institucioneve të Kosovës si dhe problemeve e mundësive në fushën e ekonomisë.
Konferenca e organizuar nga Nisma Ekonomike për Kosovën (ECIKS), Instituti për Rajonin e Danubit dhe Evropës Qendrore (IDM) dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri me 1 tetor 2009, ka grumbulluar mbi 160 të interesuar, përfshirë përfaqësues të Institucioneve austriake, përfaqësues të korit diplomatik në Vjenë, kompani e investitorë potencial nga rajoni gjermanofolës.
Diskutantë si Erhard Busek (IDM), Stephan Lehne (Ministria e e Punëve të Jashtme e Austrise), Ahmet Shala (Qeveria e Kosovës), Peter Feith (Përfaqësues Special i BE-së në Kosovë), Sabri Kiqmari (Ambasador i Kosovës në Austri) dhe të tjerë kanë paraqitur pikëpamjet dhe idetë e tyre në panelin politik. Përderisa përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, si Peter Feith, kanë kërkuar një punë më të madhe dhe më me përgjegjësi nga institucionet e Kosovës, përfaqësuesit e këtyre institucioneve dhe shoqërisë civile, si Ahmet Shala e Verena Knaus (ESI), kanë kërkuar politikë më të qartë dhe të njëzëshme të BE-së karshi Kosovës si dhe përfshirjen e Kosovës në të gjitha proceset e integrimit në BE, përfshirë edhe procesin e liberalizimit të vizave. Të gjithë janë pajtuar që ekonomia është çështje kyçe për të ardhmen e Kosovës. Ministri Shala, në mes tjerash, ka thënë që bashkësia ndërkombëtare duhet t’i besojë institucioneve të Kosovës që disa probleme ti zgjidhin në ato mënyra që i përshtaten rrethanave në Kosovë.
Paneli ekonomik i konferencës, i hapur me një fjalim nga Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku ka ofruar poashtu qëndrime interesante dhe të ndryshme për të tashmen dhe të ardhmen e ekonomisë kosovare, përderisa çështja e energjisë dhe termocentralit të ri është përmendur më së shpeshti gjatë diskutimeve. Diskutantë si Besim Beqaj (OEK), Kujtim Dobruna (ECIKS), Vladimir Gligorov (WIIW) dhe të tjerë kanë paraqitur problemet me të cilat ballafaqohet ekonomia kosovare por edhe mundësitë që kjo ekonomi do të duhej ti shfrytëzonte. Të gjithë janë pajtuar që investimet e huaja janë e vetmja mundësi për Kosovën.
Një anketë e ECIKS e zhvilluar me investitorë potencial, e prezantuar në panel nga Kujtim Dobruna, do të mund të përmbledhte problemet dhe mundësitë e ekonomisë së Kosovës. Sipas kësaj ankete, pengesat më të mëdha që investitorët e huaj i shohin në Kosovë janë infrastruktura e dobët, çështjet politike, zbatimi i ligjit, ambienti i biznesit dhe mungesa e informatave për Kosovën. Në anën tjetër, si shansë për Kosovën investitorët e huaj kanë identifikuar qasjen që e ka Kosova në tregun e Ballkanit dhe të BE-së, fuqinë e lirë punëtore, fuqinë e mjaftueshme punëtore, tatimet e ulëta dhe resurset natyrore.
ECIKS është organizatë jofitimprurëse me seli në vjenë. Nga viti 2006, ECIKS përfaqëson Agjencinë e Kosovës për Promovimin e Investimeve (APIK) në rajonin gjermanofolës. Ky projekt financohet nga Qeveria e Austrisë.
ECIKS