Prishtinë, 15 korrik 2004 – Në një protestë të mbajtur dje në qendër të Prishtinës, ku ishin tubuar mbi tre mijë punëtorë, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës kërkoi zgjidhjen e problemeve të shumta të punëtorëve, me theks të veçantë përmirësimin e gjendjes së tyre sociale dhe ekonomike. Siç shihej nga motoja e protestës, para së gjithash, BSPK-ja kërkon punë, përgjegjësi, drejtësi sociale dhe siguri. Ajo kishte për qëllim shprehjen e pakënaqësisë për pozitën e rëndë të punëtorëve të Kosovës. Të gjitha këto kërkesat iu drejtuan administratës ndërkombëtare dhe institucioneve vendore, ndërkohë që BSPK paralajmëron një protestë tjetër në shtator, në rast se deri atëherë nuk plotësohen kërkesat e punëtorëve. Kryetari i BSPK-së Bahri Shabani, duke folur protestuesve, tha se përmes negociatave dhe dialogut ka bërë përpjekje të vazhdueshme t’i mbrojë dhe t’i realizojë të drejtat e punëtorëve. Mirëpo, sipas tij, të gjitha këto përpjekje ishin të pasuksesshme. Ai u bëri thirrje UNMIK-ut dhe institucionave të Kosovës që t’i realizojnë kërkesat e punëtorëve.
ECIKS / Balkanweb