BE-ja dhe BERZH ndihmojnë reformimin e ndërmarrjeve në Kosovë

Prishtinë, 6 prill 2005 – Disa prej biznesmenëve të dalluar me përvojën më të madhe në botë do të ndihmojnë ndërmarrjet e mesme në Kosovë që të përmirësojnë menaxhmentin e tyre dhe të shtojnë afarizmin, si pjesë e një plani prej 2 milionë eurove, i cili menaxhohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në bashkëpunim me Agjencinë Evropiane për Rindërtim (AER).
Programet e Menaxhmentit të Reformimit (TAM) dhe Shërbimeve Këshilluese për Biznes (BAS) kanë për qëllim që të mbështetin tranzicionin ekonomik dhe social në Kosovë, dhe krijimin e a një sektori sektori konkurrent të ndërmarrjeve.

Përmes TAM, ish drejtorët e kompanive të njohura në botë do të ndihmojnë kompanitë e Kosovës që të përmirësojnë potencialin konkurrues në ekonomitë e reja në rajon, të orientuara kah tregu. BAS do të ofrojë shërbime këshillëdhënëse për ndërmarrjet e vogla me dëshirë që ato të përmirësojnë bizneset e tyre. Shuma e BE-së prej 2 milion eurove do të ndahet në mes të TAM (1.7 milion) dhe të BAS (0.5 milion).

Rihard Cink, drejtor i Agjencisë Evropiane për Rindërtim, tha: “Për të qenë konkurrentë brenda dhe jashtë vendit dhe për të rritur fitimet, ndërmarrjet e Kosovës kanë nevojë që të përkrahin risitë dhe menaxhimin modern, dhe të përvetësojnë metoda të qarta të kontabilitetit. Ne besojmë se të dy skemat TAM dhe BAS mund të ndihmojnë ndërmarrjet që të bëjnë këto ndryshime”.

Të dy programet kanë përvojë të gjatë dhe suksesi i tyre në Evropën qendrore dhe lindore gjatë dekadës së fundit ishte impresionues. Fitimet e firmave, te ndihmuara nga TAM, janë ngritur mesatarisht për 15 për qind.
Në të njëjtën kohë, BAS ka punuar me 2.392 ndërmarrje dhe u ka ndihmuar që të përfitojnë ndihma të jashtme financiare mbi 43 milion euro.

Njëzet e pesë ndërmarrje të Kosovës do të marrin pjesë në planin e TAM, ndërsa 60 ndërmarrje më të vogla do të marrin pjesë në atë të BAS-it.

ECIKS / QIK