Prishtinë, 15 gusht 2006 – Nga gjashtë banka komerciale që operojnë aktualisht në Kosovë së shpejti tregut kosovar mund t’i shtohet edhe një bankë nga Serbia.
Komercijalna Banka AD me seli në Beograd tashmë ka aplikuar në Autoritetin e Bankave dhe të Pagesave të Kosovës (BPK) dhe fal disponimit pozitiv të ndërkombëtarëve në këtë institucion së shpejti pritet ndarja e licencës. Dhënia e licencës nga BPK do t’i mundësojë kësaj banke shtrimin e biznesit bankar edhe në Kosovë.
Burime të gazetës brenda BPK kanë deklaruar në kushte anonimiteti se Komercijalna Banka AD është në fazën përfundimtare të kompletimit të dokumentacionit të nevojshëm dhe shumë shpejt pritet që ta marrë licencën nga BPK.
Komercijalna Banka, e cila në Beograd funksionon si shoqëri aksionare, sipas burimit të gazetës ka edhe shumë projekte financiare me të cilat synon t’i ndihmojë komunitetit serb në territorin e Kosovës.
“Nuk është ndonjë rëndësi e madhe se ajo futet në Kosovë, mirëpo qëllimet e saja mund të jenë fatale për biznesin bankar në Kosovë, për shkak të dhënies së kredive me kushte jashtëzakonisht të volitshme. Si dhe, sipas projekteve të saj parashihen edhe ndihmesa të shumta financiare nëpër enklavat serbe, gjë që mund të ketë pasoja politike”, ka deklaruar burimi i gazetës.
Zyrtarisht në Autoritetin e Bankave dhe të Pagesave të Kosovës nuk e kanë komentuar gjatë aplikimin e Komercijalna Banka AD, për t’u pajisur me licencë. Megjithatë ata e kanë pohuar aplikimin e saj për t’u licencuar nga BPK.
“Aplikacioni i Bankës Komerciale është dorëzuar para ca kohesh në BPK për licencim dhe është në procedure të shqyrtimit”, ka deklaruar për Express Besnik Kada, zyrtar i komunikimit në BPK.
Zyrtarisht në BPK kanë deklaruara se të gjitha bankat e licencuara nga BPK pa marrë parasysh cili është kapitali i tyre iu nënshtrohen kërkesave dhe rregullave të njëjta. Ndërsa burimet e gazetës kanë pohuar të kundërtën. Sipas tyre ndërkombëtarët në BPK janë duke këmbëngulur që t’i ndahet licenca, pavarësisht kundërshtimit të vendorëve.
“Të gjitha bankat e licencuara nga BPK-ja pa marrë parasysh cili është kapitali i tyre i nënshtrohen kërkesave të rregullores së njëjtë. Nëse një bankë me një kapital që drejtohet nga individë serbë apo entitete të tjera do të licencohet në Kosovë, ajo do t’i nënshtrohet procedurave të njëjta të cilave iu janë nënshtruar edhe bankat e tjera që tashmë janë të licencuara”, ka deklaruar Kada.
Mirëpo zyrtarë të lartë të këtij autoriteti i cili merret me licencimin e bankave në Kosovë kanë pohuar se Komercijalna Banka AD, shumë shpejt do të jetë banka e shtatë e cila do të ofrojë shërbime bankare në territorin e Kosovës, veçanërisht nëpër enklavat serbe.
Zyrtarët vendorë të BPK kanë treguar për Express se, pavarësisht asaj se ata janë kundër hapjes së kësaj banke, zyrtarët ndërkombëtarë janë për hapjen e saj.
“Komercijalna Banka AD, është paraqitur me një projekt shumë delikat, i cili përkundër kundërshtimeve të stafit vendorë në Autoritetin e Bankave dhe të Pagesave, asaj do t’i ndahet licenca, për shkak se e ka përkrahjen të anëtare ndërkombëtarë në BPK”, ka deklaruar burimi i gazetës.
Burimi i gazetës ka pohuar se në bazë të dokumentit të paraqitur për licencim kjo bankë do të ketë në fondin e saj miliona euro të cilat do të përdoren për zhvillimin ekonomik të enklavave.
Zhvillim ky i cili do të bëhet përmes kredidhënies me kushte shumë të favorshme për kredimarrësit.
“Sipas dokumenteve të cilat janë paraqitur në BPK, Komercijalna Banka do të ketë një fond prej 180 milionë eurove për zhvillim ekonomik të enklavave serbe në Kosovë. Këto mjete do t’i jepen komunitetit serb në veçanti në formë kredie dhe me kushte shumë të volitshme”, ka deklaruar zyrtari i lart në BPK.
Sipas përvojës së deritashme të kosovarëve, besimi në bankat serbe është i vogël. Sidomos duke u bazuar në të kaluarën e para 15 viteve kur shuma të mëdha të parave u konfiskuan nga këto banka.
Por për serbet e Kosovës prezenca e Bankës Komerciale të Beogradit mund të konceptohet ndryshe, pasi që pritet të kenë më shumë benificione për ta.
(Gazeta Express)