Zyrtarë të lartë të Bankës Botërore ritheksuan përkushtimin në mbështetje të ndërtimi të autostradës Morinë – Merdare. Zotimet janë dhënë gjatë takimeve që ka zhvilluar ministri i transportit Fatmir Limaj me përfaqësues të Bankës Botërore, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara. “Gjatë vizitës në SHBA, Limaj pati takime edhe me kongresistët Eliot Engel dhe Xhim Hims.
Gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ministri Fatmir Limaj është takuar edhe me përfaqësuesit e Bankës Botërore, Richard Martin Humphreys dhe Henry Kerali. Gjatë takimit, Ministri Limaj, ka kërkuar ndihmë nga Banka Botërore për investime në sektorin e infrastrukturës rrugore dhe Transportit në Kosovë.
Zyrtarë të Bankës Botërore, Humphreys dhe Kerali janë shprehur se Banka Botërore ka qenë dhe do të jetë edhe më tutje aktive në ndihmesën për Kosovën. Ata kanë potencuar sidomos mbështetjen për autostradën Morinë-Merdare.
Sipas tyre, autostrada është një projekt i madh dhe do të përkrahet sa më shumë që është e mundur nga Banka Botërore. Ministri Limaj, është takuar sot edhe me kongresmenë të SHBA-ve: Eliot Engelin dhe Xhim Himes. Në qendër të takimit ishin diskutimet rreth zhvillimeve politike e ekonomike në Kosovë, njoftoi ministria e Transportit, sipas të cilës Limaj po ashtu e ka falënderuar kongresmenin Engel për angazhimin e tij personal në realizimin sa më të shpejt të projektit të autostradës.
Limaj ka takuar edhe zyrtarë të lartë të organizatës amerikane OPIC- e cila është agjenci e Qeverisë amerikane që u ndihmon bizneseve amerikane duke u ofruar shërbime në investimet e tyre jashtë vendit. Gjatë vizitës të vlerësuar të rëndësishme, në ditët e kaluara, Limaj ka pasur takime edhe me zyrtarë të Departajmentit amerikan të Shtetit.
RTK