Kosova ka nevojë për një kombinim të prodhimit të energjisë elektrike, nga Termocentralet dhe burimet e energjisë së ri-përsëritshme, kështu thuhet në një raport të Bankës Botërore (BB), të prezantuar, të premten në Prishtinë.
Edhe pse opsioni i linjitit është më i lirë, kombinimi i prodhimit të energjisë nga linjiti dhe formave tjera alternative, shihet si opsioni më i mirë nga ekspertët e Bankës Botërore. Kështu tha në paraqitjen e raportit, eksperti i Bankës Botërore Mohinder Gulati. “Kosova ka nevojë për një kombinim të opsioneve të furnizimit nga termocentralet dhe burimet e energjisë së ri-përsëritshme dhe jo vetëm për një opsion të vetëm”, tha ai.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Besim Beqaj tha se: “Në drejtim të ndërtimit të kapaciteteve të reja, përveç mundësisë në prodhimin nga linjiti jemi të interesuar që ti marrim të gjitha masat që të zhvillojmë edhe alternativat e tjera të energjisë së ri-përsëritshme të cilat janë parakusht themelor edhe i BE-së por edhe i BB-së që të trajtohen në nivelin e mundësisë, të cilat secili shtet i ka”, theksoi Beqaj.
/Telegrafi/