Autostrada Prishtinë-Shkup nis më 2013

Dhjetëra kompani private vendore dhe ndërkombëtare kanë shprehur interesim për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup, që pritet të nis në fillim të vitit të ardhshëm.

Nga Ministria e Infrastrukturës thuhet se shprehja e interesit do të jetë e hapur deri në javën e parë të muajit gusht.

Lah Nitaj, këshilltar në Ministrinë e Infrastrukturës tha: “Pas konsultimeve që kemi pasur me mekanizmat ndërkombëtarë dhe akterët qeveritarë si dhe akordimin me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, ne presim që deri tek proceset tenderuese dhe arritja e kontratës me operatorë të caktuar ekonomikë, të vijmë brenda vitit 2012”.

Ekspertë të ndërtimtarisë konsiderojnë se ndërtimi i infrastrukturës rrugore viteve të fundit ndikon në bashkëpunimin më të lehtë ekonomik me vendet e rajonit.

Sa i përket financimit të autostradës së dytë në vend, Nitaj tha: “ Autoritetet kompetente vendore janë shumë të kujdesshëm dhe të vëmendshëm që të kenë parasysh interesin e Kosovës, interesin e qytetarëve të saj dhe të mos rrezikojnë në asnjë moment parametrat financiarë të vendit”.

Sipas projektit të prezantuar në vitin 2010, autostrada do të ketë një gjatësi prej 55 kilometrash dhe do të ketë dy tunele, ku më i gjati do të ketë një gjatësi prej 2,2 kilometra.

/Koha /