ART ndalon Mobtelin serb

Prishtinë, 9 janar 2005 – Autoriteti Rregullator i Telefonisë në Kosovë do të bllokojë transmetuesit e kompanisë së telefonisë mobile Mobtel, pasi kompania serbe ka vepruar në mënyrë të paligjshme deri tani në territorin e Kosovës.

Mobtel mbulon afro 70% të territorit të Kosovës derisa Kosova ka humbur miliona euro nga ky aktivitet i paligjshëm. Agjencitë e lajmeve thonë se MOBTEL në Kosovë ka mbi 100 mijë përdorues. Mirëpo, pse është pritur një kohë kaq të gjatë për t’u bllokuar aktiviteti i paligjshëm i Mobtelit në Kosovë, ndoshta shpjegimi mund të nxirret nga disa ndodhi të fundit në Beograd.

Sikundër njofton Radio Evropa e Lirë, duke cituar të përditshmen beogradase “Blic”, që nga dita e enjte policia e cila po heton të gjitha kontratat kontestuese të Mobtel-it, ka zbuluar një listë të gjykatësve të cilët vite me radhë janë paguar nga Bogoljub Kariqi, në mesin e të cilëve më së shumti ka gjykatës të Gjykatës Supreme dhe asaj të Tregtisë.

Më tutje, duke cituar të njëjtën gazetë, po behën përgatitje për një aksion të madh të arrestimit të gjykatësve të korruptuar në ç’drejtim do të ndihmojnë edhe “incizimet e pagesave të sajuara nga vetë Kariqi, në mënyrë që t’i mbajë në grusht gjykatësit e vet”.

ECIKS / Radio Kosova