PRISHTINË, 14 maj 2007 – Udhëheqës të Autoritetit Qendror Bankar (AQBK) dhe të bankave afariste, u shprehën të bindur së ardhja e bankave të fuqishme, siç është rasti me futjen në tregun bankar kosovar të “Nova Ljubljanska Banka” nga Sllovenia, do të ndikojë në rritjen e konkurrencës dhe gradualisht edhe në rënien e normave të interesit.
Në muajin prill të këtij viti, “Nova Ljubljanska Banka” ka blerë 50,14 për qind të aksioneve të bankës kosovare “Kasabank”. Kjo bankë sllovene që nga ajo kohë është duke zhvilluar negociata edhe me aksionarët e Bankës së Re të Kosovës (BRK) për blerjen e shumicës së aksioneve të kësaj banke.
Drejtori i Bankës së Re të Kosovës (BRK), Albert Lumezi, tha se një kontratë konfidenciale, e nënshkruar në mes të BRK-së dhe partnerit strategjik, ua ndalon udhëheqësve të të dy bankave që të zbulojnë të dhëna para se të kryhet transaksioni. “Përveç nënshkrimit të një parakontrate me ‘Nova Ljubljanska Banka’, asgjë tjetër nuk guxojmë të diskutojmë më gazetarët. Kjo vlen edhe për BRK-në dhe për Bankën sllovene”, tha ai.
Lumezi tha se ardhja e kapitalit të huaj në sektorin bankar kosovar është shumë e rëndësishme për të gjitha grupet e interesit dhe për aksionarët ekzistues të bankave, sepse ata marrin një vlerë të shtuar prej investimit të tyre në banka.
“Prej kësaj më së shumti përfitojnë klientët e bankave, sepse do të rritet konkurrenca në sistemin bankar të Kosovës dhe atyre do t’u ofrohen kushte më të mira për kreditim”, tha ai.
Ndërkaq, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i mbikëqyrjes financiare të AQBK-së, Hashim Rexhepi, u shpreh i bindur së ardhja e bankave të fuqishme, siç është rasti me “Nova Ljubljanska Banka”, do të ndikojë në rritjen e konkurrencës dhe gradualisht edhe në rënien e normave të interesit. Rexhepi tha se të gjitha bankat e huaja që do të operojnë në Kosovë do të veprojnë në pajtim me rregullativin në fuqi që rregullon sistemin bankar në Kosovë.
“Është e vërtetë që edhe Banka e Re e Kosovës është në fazën përfundimtare të negociatave për shitjen e një pjesë dërrmuese të aksioneve tek `Nova Ljubljanska Banka’”, tha ai. Ai tha se përmes futjes se një banke të tretë të fuqishme, krahas “ProCredit Bank” dhe “Raiffeisen Bank”, sistemi bankar në Kosovë do të dinamizohet dhe do të sjellë një konkurrencë të re në këtë sistem. “Nova Ljubljanska Banka” është aksionari i dytë slloven në “Kasabank”, pasi që me herët, aksione në të ka blerë edhe “Factor bank” nga Lubjana. “Factor Bank” ka blerë 26 për qind të aksioneve, duke e ngritur kështu pjesëmarrjen në përgjithësi të aksionarëve sllovenë në “Kasabank” në rreth 76 për qind. Pas shitjes së fundit, aksionarët vendorë kanë vetëm 24 për qind të aksioneve në këtë bankë. Që nga përfundimi i luftës në tregun bankar të Kosovës veprojnë 6 banka afariste, tri prej të cilave janë me kapital të huaj.
Marrë nga Koha Ditore