Prishtinë, 13 prill 2007 – Zëvendësdrejtori i AKM-së, Ahmet Shala, ka shprehur shqetësimin e tij rreth zhvillimeve të fundit që kanë ndodhur dhe po ndodhin në BSPK. Ai tha se këto probleme brenda BSPK-së mund të ndikojnë në shpërndarjen e fondit të 20 përqindëshit të punëtorëve, pasi, sipas tij, është BSPK-ja ajo që përgatit listën e punëtorëve që përfitojnë nga ku fond.
“Është e vërtetë se ndarja e fondit të 20 përqindëshit punëtorëve ka zgjatur shumë dhe prapë po vazhdon të zgjatet, mirëpo tensionimin e kësaj situate do ta bëjë edhe ndarja në dy krah e BSPK-së, ndarje kjo e cila do të jetë barrë e rendë për vetë punëtorët”, tha Shala. Ai tha se nga fondi i përgjithshëm i privatizimit, i cili është rreth 280 milionë euro, deri më tash punëtorëve u janë ndarë rreth 10 milionë euro.
“Rreth 3 milionë euro të tjera punëtorëve do t’u ndahen brenda këtij muaji, kurse në përpilim janë listat e punëtorëve edhe të dy ndërmarrjeve të tjera, të cilave u takojnë edhe rreth 2 milionë euro”, tha ai. Ali Dragusha, përfaqësues i Konfederatës së Sindikatave të Lira të Kosovës, pranoi se ndarjet e sindikalistëve kosovarë do të ndikojnë që shpërndarja e fondit të 20 përqindëshit të vonohet për disa ditë. “Ndoshta për një kohë shumë të shkurtër për pak ditë mund të ndikojë, por jo për gjatë dhe nuk do të ketë kurrfarë pengesash nga ana e jonë”, tha Dragusha..
ECIKS / Gazeta Express