Në një takim në mes zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë dhe atyre të Qeverisë daneze, është vlerësuar që sektori i agropërpunimit është shumë i rëndësishëm për gjenerimin e vendeve të reja të punës në sektorin privat. Qeveria daneze planifikon të investoj rreth 10 milionë euro gjatë këtij viti në sektorin e bujqësisë në Kosovë.
“Përveç investimeve direkte për ngritjen e aftësisë konkurruese, të rëndësishme janë edhe investimet në agropërpunim, në infrastrukturën dhe modernizimin e fermave, si dhe në shërbime këshillimore, sepse këto ngritin kapacitetin e fermerëve dhe nxisin transformimin e fermave tradicionale në komerciale”, është thënë.
Përfaqësuesit danezë thanë se kjo është një mundësi e mirë për gjenerimin vendeve të reja të punës. “Motorë kryesor për nxitjen e punësimit janë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, sepse edhe struktura e ndërmarrjeve kosovare është e karakterizuar nga pozita dominuese e ndërmarrjeve të tilla, kryesisht të angazhuara në tregti, shërbime dhe prodhimtari të vogla”.
Vetëm Bashkimi Evropian ka akorduar rreth 70 milionë euro për bujqësi e zhvillim rural në Kosovë që nga viti 1999.
ECIKS / Telegrafi