Aeroporti i Kukësit brenda 20 muajve hap dyert

TIRANË – Shqiptarët do të kenë më shpejt se sa ishte parashikuar një aeroport të ri kombëtar. Aeroporti i Kukësit pritet të përfundojë brenda 20 muajve, sepse firma ndërtuese ka përshpejtuar punimet. Ndërtimi i këtij aeroporti është financuar nga qeveria e Emirateve të Bashkuara me një fond prej 22 milionë euro, ndërkohë që pritet që ky shtet të financojë edhe projekte të tjera. Këtë e pohon për gazetën ministri i Transporteve dhe Telekomunikacioneve, Spartak Poçi, sipas të cilit aeroporti i qytetit të Kukësit do të përfundojë para parashikimeve. “Emiratet e Bashkuara kanë shprehur dëshirën që të financojnë edhe një pjesë të rrugës Durrës-Kukës-Morinë”, -shprehet Poçi. Sipas tij, Emiratet e Bashkuara shprehën interes për të financuar një pjesë të rrugës Durrës-Kukës-Morinë, nga aeroporti i Kukësit deri në kufi, në Morinë. Kështu, që në shenjë respekti për Emiratet e Bashkuara, Ministria e Transporteve dhe Telekomunikacioneve i ka kërkuar qeverisë shqiptare që aeroportit të Kukësit t’i jepet emri i kryetarit të shtetit të Emirateve të Bashkuara. “Firma “Al-Karaf” ka punuar jashtëzakonisht mirë dhe ka kapërcyer fazën më të vështirë të fillimit të punimeve, e cila duhej të përfundonte në kohë të thatë”, -pohon ministri. Sipas Poçit, ndërtimi i aeroportit të Kukësit do të vazhdojë pandërprerë, sepse financimi i dhënë prej Emirateve të Bashkuara është i plotë dhe mundëson të gjithë punimet. Ky aeroport pritet që të punësojë rreth 150 punonjës, por mbi të gjitha do të bëhet shkak për hapjen e një biznesi më të gjerë në qytetin e Kukësit, në shtimin e pikave të karburantit dhe mjaft shërbimeve të tjera që do të ketë ky aeroport. “Këtij qyteti kaq të rëndësishëm, që vuajti shumë gjatë periudhës së krizës së Kosovës, do t’i shtohen përveç rrugës, edhe fasilitete të tjera të infrastrukturës, siç është fluturimi ajror”, -pohon ministri i Transporteve dhe Telekomunikacioneve. Aeroporti i Kukësit dhe rruga e re Durrës-Kukës-Morine pritet që në vitet e ardhshme të sjellin një zhvillim të zonës veriore të vendit, e cila ka edhe një nivel më të ulët jetese.

SHEKULLI / ECIKS