AER-i ndihmon në menaxhimin e vendkalimeve kufitare

Agjencia Evropiane për Rindërtim ka filluar një projekt të ri për përmirësimin e menaxhimit të kufijve dhe vendkalimeve kufitare në Kosovë. BE-ja ka ndarë 1.5 milion euro për projektin që do të zgjasë 18 muaj ku përfshihen aftësimi i zyrtarëve të agjencive të cilat menaxhojnë kufijtë, shërbimin policor, doganat, veterinarinë, shërbimet sanitare dhe fito-sanitare, në ngritjen e praktikave të menaxhimit efektiv si dhe për ta përmirësuar bashkëpunimin dhe koordinimin mes këtyre agjencive.

Prishtinë, 18 mars 2006 – Gjatë zbatimit të projektit gjithashtu do të identifikohen mangësitë në legjislacionin ekzistues mbi menaxhimin e kufijve dhe vendkalimeve kufitare, dhe të bëjë rekomandimet përkatëse. “Krimet si kontrabandimi i mallrave dhe trafikimi me njerëz, narkotikë dhe armë mund të mbikëqyren në mënyrë më efektive nëse autoritetet përgjegjëse për menaxhimin e pikave kufitare përmirësojnë shkëmbimin e informative dhe bashkëpunimin”, tha Miriam Fuchs, nga Agjencia Evropiane për Rindërtim e cila e menaxhon projektin. Fuchs shtoi se çështjet e menaxhimit të kufijve nuk mund të zgjidhen plotësisht nga masat e implementuara në pikat kufitare, por që këto duhet të plotësohen me masa shtesë në nivelin qendror qeveritar.
Projekti për menaxhimin e integruar të kufijve do të koordinohet me ndihmën që Komisioni Evropian është duke i dhënë shërbimit doganor të UNMIK-ut si dhe me zhvillimin dhe programin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE-së) për Akademinë policore të Kosovës.
Menaxhimi i integruar i kufijve është ngushtë i lidhur me Procesin e Stabilizim Asociimit – strategjia kryesore e BE-së për tërë regjionin e Ballkanit Perëndimor. BE-ja po ju ndihmon qeverive që të përmirësojnë bashkëpunimin dhe koordinimin, për të siguruar qëllimin e përbashkët për kufij dhe vendkalime kufitare të hapura, por të mbikëqyrura e të sigurta. BE-ja iu kushton shumë rëndësi masave efektive për të luftuar krimin ndërkufitar, dhe autoritetet rajonale janë zotuar të shtojnë bashkëpunimin në fushën e drejtësisë dhe punëve të brendshme si një mekanizëm kyç për të luftuar krimin e organizuar përmes disa instrumenteve, duke përfshirë Procesin e Stabilizim Asociimit dhe Paktit të Stabilitetit, Deklaratat e Sarajevës dhe të Beogradit, dhe Konferencën rajonale të Ohrit mbi sigurinë dhe menaxhimin e kufijve, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga Zyra për informim e AER-it.

ECIKS / RTK